Reali i Madridit do të paguajë 18 milionë në arkat e Betisit për mesfushorin spanjoll. Javën e ardhshme, vizitat mjekësore dhe firma për 6 vjet
Reali i Madridit ka fituar “El Clasico” në merkato me Barcelonën në lidhje me talentin e kombëtares U-21 të Spanjës, Dani Sebajos. Mesfushori i Betisit, i cili ishte i dyzuar për të firmosur për Realin apo Barcelonën në fund ka zgjedhur klubin mbretëror. Ai i ka thënë po Realit të Madridit dhe javën e ardhshme kur të kthehet nga pushimet do të firmosë një kontratë 6-vjeçare me ekipin e drejtuar nga Zinedin Zidan. Duket se ultimatumi që Reali i kishte vënë talentit të Betisit ka dhënë menjëherë efekt, teksa 24 orë më pas ai ka vendosur të pranojë ofertën e madrilenëve. Mediat në Spanjë bëjnë me dije se vendimtar ka qenë dhe qëndrimi i klubit nga Sevilja, Real Betis, i cili ka zgjedhur Realin përpara Barcelonës. Në arkat e klubit andaluz do të shkojnë 18 milionë euro. Sebajos ka qenë një nga lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar në La Liga dhe kishte tërhequr prej kohësh vëmendjen e dy gjigantëve spanjollë, Barcelonës dhe Realit. në fund beteja është fituar nga kampionët e Spanjës.
Kushti – Sebajos nuk ka firmosur ende zyrtarisht për Realin, megjithatë nuk do të ketë asnjë surprizë, sepse ai ia ka komunikuar klubit madrilen se e ka marrë vendimin përfundimtar dhe do të firmosë javën e ardhshme. Kalimi tek Reali është një plotësim i ëndrrës për Dani Sebajos, i cili ia kishte shprehur dëshirën e tij për t’iu bashkuar Kristiano Ronaldos me shokë edhe shokëve të ekipit në kombëtaren spanjolle U-21 gjatë kampionatit evropian. Edhe ato pak dyshime që qëndronin në mes të Sebajosit e Realit janë zgjidhur të shtunën dhe zyrtarizimi i tij pritet të vijë të hënën. Sipas gazetës spanjolle “Marca” vendimtar ka qenë kushti i vënë nga Sebajos për Realin. Ai i kishte kërkuar klubit se do të firmoste vetëm me kusht që të mos huazohej diku tjetër, por të ishte pjesë e “los blancos” në sezonin e ri, kërkesë kjo e plotësuar nga Reali.
Barcelona u kujtua vonë – Dani Sebajos e ka ka bërë zgjedhjen e tij për të luajtur me Realin e Madridit. Ai ka zgjedhur Realin para Barcelonës dhe për mediat e Madridit kjo lëvizje e mesfushorit spanjoll nuk ishte surprizë. Reali po e ndiqte prej muajsh yllin e ri të kombëtares spanjolle dhe kishte kontaktuar disa herë me Betisin deri në marrëveshjen përfundimtare. Nga ana e saj Barcelona u shfaq në horizont vetëm javët e fundit, sidomos pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në kampionatin evropian U-21. Por me sa duket Barça u kujtua shumë vonë, duke humbur një betejë të rëndësishme me Realin.