Reagimi i plotë i Refik Halilit: Kam marrë goditje për Partizanin, pres dënim të grupimit

Një incident ka ndodhur para takimit të derbit mes Tiranës dhe Partizanit, që përfundoi në rezultatin 1-2. Fillimisht për të nisur me konfliktin mes tifozerive, për ta vazhduar me atë banderolë që shkaktoi shumë polemika dhe u hap në anën e tifozëve bardheblu.

Në një rrëfim të gjatë të presidentit Halili për “Top Talk”, ka shprehur se ka një fryrje të situatës nga ana e Partizanit me reagimet për shtyp. Gjithashtu duke kujtuar edhe kritikat e marra nga tifozët e tij, kur lejoi organizimin e ndeshjeve të Partizanit në të njëjtin stadium.

“Për t’u përgatitur dhe që të bëhet një ndeshje sa më e mirë, që të jetë “Fair-Play”, kemi punuar gjatë gjithë javës. Ne jemi kundër dhunës dhe kësaj maskarade që ka ndodhur. Më vjen keq, por të vërteta duhet t’i themi. Kompania përgjegjëse e sigurimit më ka kërkuar 100 persona. Unë i kërkova një skicë, që me çfarë do të merreshin.

Kompania ka për detyrë të kontrollojë hyrje-daljet në stadium. Kompania është e detyruar të kontrollojë banderolat dhe ajo që është e dëmshme nuk duhet të lejohet. Policia jep këshilla se çfarë duhet të bëhet.

Hapur fare na kanë thënë që mbrapa porte të ketë betonim dhe mos të ketë fare guricka të vogla. Kjo ka qenë para një muaj e ca. Tifozët e Partizanit dhe Tiranës janë miq me njëri-tjetrin. Unë e di se kryetarët e tyre të grupimeve janë vëllezër. Di histori kur një vëlla është me Tiranën e tjetri me Partizanin.

Ai reagim nga Partizani e ka fryrë shumë situatën dhe reagimi që do të vijë në fund do të vijë një flluckë. Do të shohim përgjigjen e fundit nga policia dhe ekspertet. Mua më thanë se ato ishin tymuese blu dhe do të ishin vetëm për të treguar se vendi ishte blu. Unë kam ngrënë goditje të mëdha nga tifozët e mi, nga ajo e famshmja situatë që Partizanit të luante në stadiumin tonë. Për të respektuar futbollin dhe për të mirën e sportit, i kemi pranuar dhe respektuar tifozët e Partizanit. E kanë fryrë shumë dhe në fund do dalin tymuese. Por sigurisht që ka frikë. Unë pres një dënim që të mos jetë masiv, por të dënohet vetëm një sektor përgjegjës, një grupim. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera. Këtë dënim pres”, ka thënë Halili. /Sport Ekspres/