Përfaqësuesja e Kosovës arriti të merrte ditën e djeshme një fitore mjaft të rëndësishme ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë si Republika Çeke, duke marrë përkohësisht edhe kreun e grupit. Ndërkohë kjo humbje ka lënë shije të hidhur te çekët, madje këta të fundit po i çojnë gjërat shumë larg edhe në aspektin e politikës.
Ka qenë vetë presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, i cili ka deklaruar se njohja e Kosovës si shtet ka qenë një gabim. Presidenti Zeman do të shkojë në një vizitë zyrtare në Serbi në ditët në vijim, ndërsa gjatë orëve të fundit para kësaj vizite është shprehur se shteti i tij mund të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjë të cilën e ka thënë më parë edhe ministri i mbrojtjes së Çekisë.
“Bie në të njëjtin mendim me deklaratën e ministrit të mbrojtjes Metnar, i cili ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë një gabim diplomatik. E ndaj të njëjtin mendim, dhe nëse shtete të tjera do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, atëherë Republika Çeke do të rreshtohet mes tyre”, ka thënë Milos Zeman.
Këtu mund të ketë ndikuar edhe fakti që himni i tyre u vërshëllye nga tifozët shqiptarë para ndeshjes, megjithëse kishin përgatitur një surprizë të pakëndshme me dron në mbishkrimin: “Kosova është Serbi”.
Një situatë kjo tërëisht absurde, teksa pas një loje të humbur në futboll, presidenti i një shteti kërcënon me mosnjohjen e pavarësisë. Më shumë se qesharake… /Sport Ekspres/