Rauf Alijev i Kukësit, Elis Bakaj shumë pranë

Kukësi ka arritur marrëveshjen me sulmuesin e Azerbajxhanit, ndërkohë që kanë nisur bisedimet me fantazistin kryeqytetas, më të cilin arriti marrëveshje në janar

Jurgen Zela

Kukësi po i mendon të gjithë skenarët dhe po i bën llogaritë pa lojtarët e larguar, ndaj është hedhur në sulm për të afruar në ekipin Elis Bakajn. Palët ishin shumë pranë edhe në muajin janar, madje ishte arritur marrëveshja me presidentin Gjici, por për arsye të ndryshme nuk u finalizua. Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe te Kukësi po mendojnë ta bëjnë tyrin 30-vjeçarin, që ka një eksperiencë të madhe, duke u aktivizuar në Shqipëri me Partizanin, Dinamon, Tiranën dhe Vllazninë. Jashtë vendit ka provuar të veshë fanellën e Dinamos së Bukureshtit, më pas ka kaluar te Çornomorets Odesa, për t’u rikthyer në Shqipëri te Tirana. Pak kohë në Izrael te Hapoel Ra’anana dhe sërish në kryeqytet. Verën e shkuar provoi një eksperiencë të re në Kroaci te RNK Spliti, por problemet financiare bënë që të vinte në Superiore, ku për shkak të dënimit të Tiranës për të mos bërë merkato, veshi fanellën e Vllaznisë. Këtë verë e ka kërkuar skuadra e Flamurtarit që i ka bërë një ofertë konkrete, ndërkohë që edhe nga Partizani ka një interesim, por dihet që tifozët nuk do ta prisnin mirë një lëvizje të tillë. U tentua të afrohej Olsi Teqja, por ultrasit e kuq vunë “veton” dhe klubi u tërhoq. Tashmë situata është e tillë: Kukësi ka shprehur interesim për sulmuesin dhe palët janë drejt mbylljes së marrëveshjes.


SULMI
Për të zëvendësuar Pero Pejiç, Kukësi duhet të bëjë një sakrificë dhe presidenti Safet Gjici nuk do të kursehet, pasi mësohet nga burime pranë klubit verilindor se është arritur marrëveshja me sulmuesin e Kombëtares së Azerbajxhanit, Rauf Alijev. 28-vjeçari është aktivizuar dy sezonet e fundit me Inter Bakun, teksa në kampionatin e shkuar ka realizuar 11 gola, një shifër e mirë, duke ditur se në kampionatin azerbajxhanas nuk është se shënohen shumë gola. Karriera e sulmuesit është përqendruar në vendin e tij, ku ka luajtur për disa sezone me Karabakun, më pas me Baku, Khazar dhe Neftçin. Këtë verë ai është aktivizuar edhe në Kupat e Europës më Inter Bakun, duke shënuar një gol në katër ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *