Nga Klaudio Ndreca
Debutimi i Xhakomo Vrionit me Juventusin A ka tërhequr vëmendjen e shumëkujt për të parë karrierën e sulmuesit shqiptar. Një emër i ri dhe që futet për herë të parë në fushë me yjet e bardhezinjëve. Padyshim që nëse kjo skuadër jep një besim të tillë, atëherë flitet për një lojtar që ka cilësi.
Së fundmi një kuriozitet me rastin e Vrionit po shpërndahet gjerësisht në mediat në Itali, por edhe jashtë saj. Sulmuesi shqiptar ka luajtur në Serinë A, B dhe C brenda një sezoni të vetëm. Në pjesën e parë të sezonit ka luajtur me Citadelën, teksa ishte si huazim nga Sampdoria. Pra janë 4 takime të zhvilluara në Serinë B dhe më vonë do të vinte transferimi te Juventus U-23.
Dy ndeshje të zhvilluara me bardhezinjtë e vegjël, të cilët luajnë në Serinë C në Itali. Atje ku do të gjente edhe perlën autentike nga distanca, teksa do t’i shënonte Carrerese. Për të mbërritur te mbrëmja magjike ku Vrioni është futur në minutën e 79 me Juventusin A ndaj Romës. Në mbrëmjen ku do të festohej zyrtarisht edhe titulli kampion, një kënaqësi që nuk fitohet çdo ditë, ndërsa lojtari kuqezi i kaloi të gjitha fazat për të mbërritur deri te ky moment. /Sport Ekspres/