Një surprizë e madhe ka ardhur në mbrëmjen e “Europa League”, në një takim që ndoshta nuk ka bërë shumë jehonë fillimisht, por me rezultatin final, ngjall jo pak diskutime. Flitet për përballjen mes Borussia M’gladbach dhe Wolfsberger. Nëse bazoheshim me atë që shkruhej në letër, këto 90 minuta ishin thjesht për t’u luajtur, pasi ekipi i Bundesligës e kishte të fituar ndeshjen që pa u zhvilluar.
Por në fund do të ishin miqtë ata që ia dolën, madje jo pak, por duke e turpëruar kundërshtarin në shtëpi me rezultatin 0-4. Për t’u futur pak më në detaje, skuadra austriake ka një vlerë të përgjithshme prej 11 milionë eurosh. Ndërsa M.Gladbach vlente afërsisht 23 herë më shumë, pasi vlera totale shkon në 257 milionë euro me lojtarët që zotëron.
Nëse i futemi edhe formacionit të hedhur nga minuta e parë, gjermanët kishin 190 milionë euro në lojë, ndërsa miqtë nuk shkonin më tepër se 6 milionë euro. Pra nuk flitej për një paraqitje të nënvlerësuar në këtë përballje.
Mrekullitë ndodhin dhe skuadra austriake e ka bërë një gjë të tillë në Gjermani, që vështirë se mund të përsëritet. Mbajtja e topit në 69-31% është e vetmja statistikë që favorizoi ekipin e Bundesligës, në një 90 minutësh që është për t’u harruar sa më shpejt të jetë e mundur. /Sport Ekspres/