Milani po përgatitet prej një kohe të gjatë për rikthimin në kohën e lavdishme, por ende mbetet larg atij klubi të madh që ka shkruar histori në Itali dhe në Europë. Këtë herë drejtuesit kuqezinj mendojnë se ndryshimin e madh mund ta sjellë Ralph Rangnick, i cili po përflitet për të marrë postin e menaxherit te “djajtë“. Por menaxheri gjerman nuk vjen i vetëm në Milano, teksa pas tij ka një ushtri që do të zërë vend te kuqezinjtë.
“Tuttosport“ ka zbuluar edhe emrat që Rangnick dëshiron të ketë në krahë në aventurën e re te Milani, që nën drejtimin e tij do të gjermanizohet. Krahu i djathtë i Nagelsman, Robert Klauss, së bashku me Lars Kornetka pritet të jenë të parët që do të vijë me listën e dëshirave të menaxherit të Salzburgut. Daniel Ackerman dhe Fabian Friedrich do të marrin postin e bashkë-asistentit të trajnerit dhe të kreut të analizës së videove. Sa i përket trajnerit të portierëve, Rangnick kërkon Frederick Gossling për shkak të metodës së tij të punës. Megjithatë për këtë pjesë Milani ka rezerva, teksa i beson punës së Luigi Turcit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/