Mesfushori i Luftëtarit, Behar Ramadani, luajti një ndeshje mjaft të mirë ndaj Vllaznisë, duke ndihmuar mbrojtjen e sulmin, ndërsa pas ndeshjes në mikrofonin e Supersportit nuk e fshehu zhgënjimin për mungesën e fitores, por e mori me humor: “Nuk na bëjnë më përshtypje ndeshje të tilla, ku nuk fitojmë, edhe pse krijojmë shanse pa fund. E rëndësishme është që ne krijojmë lojë e raste, nëse vazhdojmë kështu, është rruga e duhur. Është ndeshja e nëntë që nuk humbasim, durim, fitoret do të vijnë”.
Sulmi gaboi shumë? “Tresha e sulmit tonë është më e mira në Superiore, është fantastike, e them me bindje të plotë. Raste humbasin të gjithë, nuk mund të shënosh gjithnjë”.
Pikët e lëna: “Nuk kemi ç’të bëjmë, nuk është hera e parë që lëshojmë pikë kështu, edhe në Laç ndodhi e njëjta gjë, edhe në ndeshje të tjera. Po të merrnim pikët që meritonim, ndoshta do të ishim pas Skënderbeut”.