Partizani ka prezantuar sot Skënder Gegën, në praninë e drejtorit të përgjithshëm Olsi Rama, i cili foli shkurt për mediat para se Gega të fliste për herë të parë si trajner i Partizanit.
Elozhe nga Rama, i cili ka kujtuar të shkuarën e kuqe të Gegës, ndërsa me humor i uron që ta mbyllë karrierën te Partizani, ashtu si Venger tek Arsenali.
Rama ka vlerësuar edhe faktin që Gega ka punuar vite më parë me disa nga lojtarët e Partizanit dhe i njeh mirë.
“Shpresoj ta nisim mbarë sezonin. Në periudhën e shkurtër që unë jam te Partizani, Skënderi është trajneri i tretë që prezantojmë dhe ndryshimet e shpeshta na kanë lënë një hap pas. Shpresoj të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë dhe mundësisht të dalë në pension me Partizanin, pse jo të bëhet si Venger në Shqipëri, duke pasur parasysh edhe ngjyrën e kuqe që na bashkon me Arsenalin. Dua t’iu them arsyet e zgjedhjes së Gegës: e para, ai vjen natyrshëm në familjen e kuqe, sepse ka dhënë kontribut në kohën artë të Partizanit, që në vitet ’80.
“Zgjedhja e trajnerit në këtë rast ishte një vendim i përbashkët i strukturave të klubit, për të vazhduar traditën e emrave të Partizanit. Skënderi vjen nga një e kaluar e vet në pjesën e instruktimit dhe trajnimit në Amerikë. Pjesa amerikane ka të bëjë jo vetëm me stërvitjen e ekipeve atje, por edhe me një kulturë tjetër të organizimit të punës. Gjithashtu, ai ka kontribuar për ekipet U-19 dhe U-21 të Shqipërisë dhe kjo na vlen, sepse shumë lojtarë që janë tashmë në kulmin e vet kanë kaluar nga duart e Gegës në ekipet e moshave dhe i njeh. Gjithashtu, ne besojmë tek integriteti i tij, që e ka shprehur në fushën e lojës, por dhe në karrierën e vet si trajner i ekipeve përfaqësuese.
“Ne jemi të përqendruar te ndërtimi i një ekipi të ri në moshë, por do të punojmë për të afruar talente edhe te ekipet e moshave. Ndërkohë, kemi përpara edhe Europa League, përveç kampionatit, ndaj duam të ndërthurim eksperiencën me eliementin e ri. Kush e vesh fanellën e Partizanit, duhet të ketë pasion dhe dëshirë. Partizani nuk duhet të shihet si një vend pune për të marrë një rrogë, por një sfidë për të bërë përpara në karrierë.
“Kompleksi i ri? Nuk ka datë përfundimtare, shpresojmë që së shpejti të rregullojmë një nga fushat, për të pasur të paktën një vend për t’u stërvitur, një shtëpi, jo atë vilën që shpresonim. Duam një fushë stërvitore me kushte cilësore, ku të mos kemi më probleme me oraret si në fushat e tjera, çka na ka hapur shumë probleme.
“Trajneri i huaj që pritej? Patëm bisedime, por zgjodhëm një trajner shqiptar me eksperiencë të madhe jashtë.
“Lojtarët që duan të largohen? Unë gjithnjë e kam thënë që nuk jam kundër që lojtarët të largohen jashtë, për t’u rritur në karrierë. Jemi të hapur të flasim me lojtarët, për çdo mundësi që mund t’u krijohet.