Rama: Sulejmani huazohet, Ramadani nuk u përshtat

Drejtori Rama reagon për gazetën: Largimi ishte vendim i përbashkët. Mendoj se reagoi emocionalisht. Sulejmani ka nevojë të luajë.

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, u pyet nga “Sport Ekspres” në lidhje me deklaratën e sulmuesit Emran Ramadani. Ai foli hapur për lojtarin e larguar dhe shprehu konsideratën e tij për të. Rama mendon se ishte zgjidhja e duhur për të dyja palët dhe se deklaratat e lojtarit i sheh pak emocionale. “Deklaratat e Ramadanit? Djalë i mirë dhe punëtor, por mbase ka reaguar emocionalisht, pasi asnjë lojtari nuk i pëlqen të largohet nga Partizani. Ne kemi biseduar për situatën e tij në ekip dhe ka qenë vendimi i përbashkët që të largohet, pasi dhe ai do të qëndrojë më pranë familjes. Për më tepër janë shtrembëruar fjalët e tij në lidhje me Partizanin, ai më konfirmoi që nuk ka thënë fjalët që janë shkruar, ndaj duhet të keni kujdes me çfarë shkruhet për të marrë disa klikime më shumë, pasi cenohet jo vetëm imazhi i klubit, por dhe i lojtarit. Koha e qëndrimit të tij te ne ka qenë e shkurtër dhe në performancën e një lojtari ndikon dhe ambientimi me një kampionat të ndryshëm, një qytet tjetër dhe një mentalitet tjetër. Mos harroni që ka hasur dhe në një konkurrencë shumë të fortë në pozicionin e tij. Ne kemi shtrënguar dorën dhe unë i kam uruar fat në të ardhmen, ashtu si ai më ka uruar suksese për Partizanin”, – u shpreh Rama në lidhje me çështjen e Ramadanit.
SULJEMANI – Një tjetër çështje e nxehtë është ajo e Alban Sulejmanit. Drejtori jep opinionin e tij dhe në lidhje me këtë temë. Zyrtari i kuq nuk pranon faktin se Sulejmani do të largohet nga Partizani, por po bisedohet për ta huazuar, pasi ka nevojë për minuta. Mesfushori nuk e gjeti veten në listën zyrtare të fazës përgatitore, ndërsa në lidhje me lojtarin, drejtori shprehet: “Me Sulejmanin do punojmë bashkë për një huazim, sepse ne e vlerësojmë për potencialin që ka dhe duam ta mbajmë te Partizani, por të shkojë të fitojë eksperiencë në një ekip tjetër”, – përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *