Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në lidhje direkte me Supersportin, ka folur sot për tema të ndryshme, përfshirë atë të trajnerit, sepse kohët e fundit ka pasur aludime se Starova mund të largohet sërish. Asgjë e tillë nuk do të ndodhë, sipas Ramës: “Një ndër gjërat që po mundohemi të vendosim në klub është pjesa e përgjegjësisë. Të gjithë mendojnë se Starova ka gabuar në rastet kur është pezulluar, edhe ai vetë e di. Klubi ka pranuar me dinjitet dhe kokulur faktin që ai ka gabuar, por në asnjë moment nuk është vënë në dyshim pozicioni i tij si trajner. Dalipi ka kohë që është pjesë e Partizanit si zëvendëstrajner dhe nuk kemi pasur asnjëherë idenë për rokadë.
“Edhe kur iku Juliano, edhe kur e konfirmuam, treguam se kemi besim te aftësitë e Starovës, njohjet e tij në kampionatin shqiptar dhe shpresojmë se do të marrim rezultate deri në fund të sezonit. Ai e ka lidhur karrierën e tij në futboll me Partizanin, ka fituar titullin e fundit dhe ka qenë gjithnjë në krah të presidentit Demi, si trajner apo këshilltar. Ndoshta i ka rënduar fakti që ka marrë disa herë ekipe të ndërtuar nga të tjerë, por gjithnjë ka punuar me profesionalizëm”.