Ditën e djeshme mori hov fillimi i punës te Vllaznia. Skuadra shkodrane zyrtarizoi në krye të klubit administratorin Suad Lici. Përzgjedhja e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Ekipi kuqeblu do të nisë nga puna tashmë me Licin që do të zgjedhë njerëzit në pozitat e tjera të klubit.
Ai ka për detyrë të zgjedhë drejtorin teknik që me shumë mundësi do të jetë Alban Hasani, në pritje për t’u zyrtarizuar. Trajneri i ekipit është në dorë të tij dhe së bashku me këtë të fundit dhe përzgjedhjen e grupit të lojtarëve. Me pak fjalë, Lici ka një detyrë të vështirë, shumë të vështirë duke parë se Vllaznia është një “gropë e madhe”.
Pas zyrtarizimit të administratorit të përgjithshëm pritet dhe prezantimi i drejtorit teknik. Hasani mund të jetë emri i duhur, pasi ka përvojë me akademinë e Vllaznisë, por e njeh mjaft mirë ambientin në Shkodër. Ai është prej vitesh pjesë e rëndësishme e klubit shkodran, madje ka qenë shumë i drejtpërdrejtë me reagimet e tij duke kundërshtuar dhe politikat e klubit shpesherë.