Radas: Titullin e sigurojmë që në fillim të prillit!

Kroati i mbrojtjes së Skënderbeut, Marko Radas, thekson se ky sezon mund të mbyllet me suksesin e dyfishtë. Ai beson se titulli do të shkojë shumë shpejt në Korçë

Leonard Trebicka

“Kemi krijuar këtë distancë pikësh, falë vlerësimit që i kemi bërë kampionatit që në javën e parë. Rivalët tanë kanë gabuar, por rezultatet tona kanë bërë që sot të jemi më të qetë në krye. Kjo është distanca që do të kemi deri në fund, madje mund ta thellojmë më shumë”, – thekson mes të tjerash në intervistën e  mëposhtme për “Sport Ekspres” mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas. Ai, si gjithë të tjerët në Korçë, mezi e pret titullin. Skënderbeu po fiton javë pas jave dhe trofeu është çështje kohe. Ja intervista e plotë e Marko Radasit:

– Radas, Skënderbeu vazhdon të fitojë bindshëm. A ishte më e lehtë me Lushnjën?

– Nuk kemi falur asnjë ekip dhe sigurisht këtë bëmë edhe ndaj Lushnjës. Skënderbeu është ai i javëve të para, me grintë, i etur për të fituar. Nuk ishte më e lehtë me Lushnjën, por ekipi ka të njëjtin motivim si më parë, edhe pse jemi të shkëputur. Kemi objektiv që titullin kampion ta sjellim sa më parë në Korçë dhe për këtë duhen vetëm fitore. Me Lushnjën e ndërlikuam pak, kur rezultati shkoi në 2-1. Lushnja, pavarësisht se renditet në vend të fundit, ka bërë surpriza. Kur shënuam golin e tretë e mbyllëm ndeshjen dhe ishte një fitore e merituar.

– Në fakt, kishte “frikë” se ndoshta ekipi do të nënvlerësonte dhe mund të gabonte…

– Futbolli është i tillë. Na ka ndodhur dy vite më parë të mundeshim nga Tërbuni, por atëherë ishte një ditë e keqe, ndërsa tani jemi në top-formë dhe i kemi mundur të gjithë kundërshtarët që na kanë dalë përpara.

– Skënderbeu vazhdon të mbajë distancën e 14 pikëve me ndjekësit. Si e shikoni këtë distancë?

– Kemi krijuar këtë distancë, falë vlerësimit që i kemi bërë këtij kampionati që javën e parë. Rivalët tanë kanë gabuar, por rezultatet tona kanë bërë që sot të jemi më të qetë në krye. Kjo është distanca që do të kemi deri në fund, madje mund ta thellojmë atë.

– Kaq i bindur jeni që kjo distancë nuk mund të ngushtohet nga rivalët tuaj?

– Jam, sepse Skënderbeu është i etur për të fituar dhe të kthyer titullin kampion në qytetin e Korçës, madje sa më parë të jetë e mundur. Me këtë ritëm them se 6-7 javë para fundit do ta kemi siguruar titullin. Jemi të qetë, por pa e siguruar titullin matematikisht, nuk mund të themi se jemi kampionë. Mendoj që ekipet e tjera e kanë “fjetur mendjen” me kohë dhe e kanë pranuar se Skënderbeu bën diferencën. Do të kënaqemi sërish, kur ta ngremë këtë trofe në Korçë.

– Të mërkurën luani në Durrës ndaj Teutës, që e ka për “jetë a vdekje”. Si e mendoni këtë ndeshje?

– Teuta ka objektivat e veta, ne objektivat tona. Ata luajnë për të mos rënë nga Sueperliga, ndërsa ne për titullin kampion. Jam i bindur se edhe në këtë 90-minutësh do të jemi ne fitues. Skënderbeu nuk ka ndërmend të lëshojë në asnjë moment deri në javën e fundit. Edhe në Durrës do të luajmë me objektivin e vetëm për të dalë nga fusha me tri pikë.

– Skënderbeut pak i duhen pikët, ndërsa kundërshtari lufton për mbijetesë…

– Për ne kjo nuk do të thotë asgjë. Të gjitha skuadrave u duhen pikët, jo vetëm Teutës. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën tonë deri në fund.

– Mos ndoshta duhet t’i kurseni “bateritë” për Kupën e Shqipërisë?

– Jo, aspak. Skënderbeu do të ruajë ritmin së pari dhe çdo fitore na motivon më shumë. Sigurisht, e duam trofeun e Kupës së Shqipërisë, pasi Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë, por të sigurojmë më parë titullin, pastaj të mendojmë pse jo të sjellim në Korçë edhe Kupën e Shqipërisë.

– Radas, si po e prisni lajmi nga UEFA në lidhje me një dënim të mundshëm tuajin?

– Nuk merremi me fjalë, shikojmë punën tonë në fushë. Për mua, që fliten janë thjesht fjalë, pasi Skënderbeun nuk e mendoj kurrë se do të dënohet.

– Së fundi, ky Skënderbe është më i fortë se i viteve të kaluara? – Çdo vit Skënderbeu është më i fortë. Pra, vit pas viti ne rritemi dhe këtë e kemi treguar në fushë edhe në ndeshjet europiane. Skënderbeu ka skuadrën më të mirë në futbollin shqiptar dhe këtë verë objektivi ynë është të shkojmë deri në grupet e Championsit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online