Mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas, ishte sërish fantastik, një shtyllë në mbrojtjen korçare, duke u kthyer në një nga liderët e skuadrës prej shumë vitesh. Pas fitores kundër Dinamos së Kievit, Radas foli në Supersport, duke mos e fshehur kënaqësinë për fitoren dhe lojën e Skënderbeut.
“Kërkonim fitoren dhe ia dolëm mbanë, ndaj një rivali mjaft cilësor dhe që kryeson grupin. Përmbysëm disavantazhin, shënuam tre gola dhe jemi kënaqur shumë, edhe pse nuk kualifikohemi dot tani”
Pesë pikë në 5 ndeshje, a mund të bëhej më shumë?
“Ndoshta në Kiev, ku kryesonim 1-0, duhej të shtrëngoheshim pak më shumë në pjesën e dytë, por gabuam dhe dolëm pa pikë. Mund të kishim më shumë pikë, por është një shkollë, një rezultat i shkëlqyer për ne. Çdo vit më shumë, kjo është rruga e duhur për Skënderbeun.
Jashanica mund të largohet, gjithnjë je duke ndërruar partner, me kë ndihesh më mirë?
“Më mirë me Jashanicën, është normale, sepse kemi 4 vite bashkë. Megjithatë, edhe Aliti është lojtar me potencial dhe shpresoj që do vazhdojë kështu”.