Nga Klaudio Ndreca
Qeveria vazhdon të mos e shohë futbollin në Shqipëri dhe të mos e kthejë kokën nga sporti. Teksa kanë nisur lirimet për të gjitha bizneset, madje edhe ato që kanë risk infektimi më të lartë, klubet dhe lojtarët duhet të presin ende.
Një indiferencë e pakuptueshme kjo, ndërsa në shumë shtete të botës ka një përgjigje të prerë për futbollin, qoftë edhe kur flitet për mbylljen në tavolinë. Ndërkohë kërkesa e bërë nga ana e FSHF-së për Qeverinë e Shqipërisë, ka bërë jehonë edhe në median prestigjoze “Associated Press”.
Këta të fundit kanë shkruar për gjendjen e fundit të futbollit, pasojat dhe mënyra sesi sporti po përpiqet të ringrihet pas pandemisë. Teksa flitet për sportin më të dashur në botë dhe për vendet si Gjermania dhe Spanja duke pasqyruar situatën e fundit, nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe Shqipëria.
“Associated Press” shkruan se FSHF ka prezantuar një protokoll sanitar me konsultim të UEFA dhe FIFA, ndërsa është një model i ngjashëm me të Gjermanisë. Gjithashtu duke qenë në dijeni se Qeveria e Shqipërisë nuk e ka si prioritet kryesor sportin.
“Federata e Futbollit në Shqipëri i ka kërkuar qeverisë të lejojë rifillimin e ndeshjeve të kampionatit për t’u zhvilluar pa tifozë dhe duke ndjekur një protokoll të rreptë mjekësor. Ndeshjet janë pezulluar që nga mesi i marsit pas shpërthimit të koronavirusit dhe bllokimit të plotë të vendit.
Federata ka prezantuar një protokoll sanitar të hartuar në konsultim me UEFA dhe FIFA dhe i ngjan modelit që do të ndiqet nga Gjermania. Federata kërkon që qeveria së pari të lejojë që klubet të rifillojnë trajnimet, duke respektuar me përpikëri masat higjienike për të mos rrezikuar për infektimin dhe më pas të zhvillojnë 10 ndeshjet e mbetura të kampionatit duke filluar nga 20 maj. Deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga qeveria”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/