Finalja e Champions League mes Real Madridit e Liverpulit do të mbahet mend edhe për dëmtimin fatkeq të Mohamed Salah, i cili u rrëzua keq pas një kontakti me Sergio Ramos, duke dëmtuar shpatullën.
Kjo bëri që Liverpuli të zbehet krejtësisht, pas 30 minutave të para ku shkëlqeu dhe po tregohej superior ndaj Realit.
Dëmtimi i Salah nuk tronditi vetëm Liverpulin, por edhe Egjiptin. Bëhet fjalë për një ndër lojtarët më të mirë në botë në këtë moment dhe Egjipti shpreson ta ketë në superformë, për të pasur ndonjë shans suksesi në Botëror.
Frika për një mungesë të gjatë të Salah ishte e madhe, por pas kontrolleve të sotme situata është qetësuar. Federata egjiptiane ka dalë me një komunikatë për shtyp, ku qetëson tifozët: “Salah do të jetë në Kupën e Botës”.
Lajm i bukur, por natyrisht duhet parë çfarë forme do të jetë ylli i Liverpulit, sepse nëse do të luajë duke sakrifikuar, rendimenti i tij nuk do të jetë ai i zakonshmi.