Valon Ahmedi la Shkëndijën e Tetovës gjatë merkaots së dimrit për tu transferuar në kampionatin bjellorus, atje ku e priste fanella e Shahtjor Soligorsk. Një ekip ky i njohur për shqiptarët, teksa pjesë e tij kanë qenë edhe Azdren Llullaku dhe Elis Bakaj. Madje për këtë të fundit duket se gëzojnë një respekt të madh në radhët e klubit, teksa që ditën e parë të mbërritjes pyetja që iu shtrua Ahmedit ishte: “A do të bëhesh dot si Bakaj”? Këtë e ka zbuluar vetë futbollisti shqiptar gjatë një prononcimi për “Sport Time” në “Supersport”, ku më tej ka zbuluar edhe një prapaskenë të merkatos. Ahmedi ka bërë me dije se ka qenë një dëshirë e Skënder Gegës në kohën kur ishte në drejtim të Partizanit, por një marrëveshje e tillë nuk u arrit.
“Momentet më të bukura të karrierës i kam pasur në Maribor, aty ku mora pjesë në Champions League. Më erdhi ftesa në Kombëtaren e Shqipërisë pas kësaj aventure. Këtu në Bjellorusi synojmë Ligën e Kampioneve. Jemi në vendin e parë dhe synojmë të kemi këtë ritëm. Futbolli është çështje fati.
Trampolinë për të ardhmen? Po ta marrësh me vitet, në Itali thonë se karriera nis në moshën 30 vjeç. Jam 26 vjeç dhe e di se kam diçka, një talent të dhuruar nga Zoti. Them ta shfrytëzoj mirë. Tani jam i pjekur dhe e di çfarë dua nga jeta. Pastaj çështjet e tjera janë private. Ditën e parë kur mbrrita te klubi më thanë se a do bëhesh njësoj si Bakaj. I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe më kanë vlerësuar maksimalisht.
Shkëndija? Është ekipi që kam në zemër, përfaqëson gjithë shqiptarët dhe I uroj gjithë të mirat. Karriera e futbollistit është e tillë. Pandemia? Këtu sikur nuk ekziston virusi, jeta është normale edhe në futboll. Tifozeri ka, me dy fjalë virusi nuk ekziston.
Kombëtarja? I ndjek të gjitha ndeshjet, jam i gatshëm në çdo sekondë, në çdo aspekt për të dhënë maksimumin. Në Bjellorusi është kampionat fizik dhe dua të jap më të mirën. Me Rejën nuk kam pasur kontakte por mbase në të ardhmen. Kur isha me Maribor më kontaktoi Partizani kur ishte Skënder Gega. Kampionati është shumë cilësor në Shqipëri dhe në të ardhmen nuk i dihet”, ka deklaruar Valon Ahmedi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/