Pushimi në momentin e duhur, Guri maratonomak

Besojeni ose jo, por Sindrit Guri ka humbur vetëm 192 minuta mes Kupës dhe kampionatit gjatë këtij edicioni, si asnjë lojtar tjetër në Superiore. Shkodrani është futbollisti që ka më shumë minuta në kampionat dhe për të nuk ka pasur pushim thuajse fare edhe në ndeshjet e Kupës. Në kampionati autori i 12 golave është aktivizuar në të gjitha sfidat dhe vetëm një herë është zëvendësuar, në ndeshjen me Laçin në Kukës, në minutën e 78-të të sfidës që kuksianët e fituan 3-0.

Guri ka një diferencë të frikshme me shokët e skuadrës sa i përket minutave të luajtura, pasi Koliçi që është pas tij ka luajtur 258 minuta më pak. I palodhshëm duket shkodrani që edhe në Kupën e Shqipërisë është për t’u admiruar, pasi ka luajtur 450 minuta, vetëm 25 minuta më pak se Musolli. Në Kupë, shkodrani nuk ka luajtur vetëm në 1 takim, ndërsa është aktivuar në 6 ndeshje, 5 prej të cilave nga minuta e parë, ndërsa në atë që është aktivizuar ka hyrë në fillimin e pjesës së dytë.

Pushimi duket se ka ardhur në momentin e duhur, pasi dhe pse nuk është ankuar në asnjë moment, duket e pamundur që të luash për gjatë gjithë sezonit pa bërë fare pushim. Edhe Pakult në anën tjetër duket vështirë që t’i krijojë hapësirë lojtarit të tij më të mirë, duke parë dhe objektivat që ka skuadra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *