Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, do ta nisë aventurën e tij me të kuqtë kundër ndeshjes me Laçin. Për fatin e tij të mirë, tekniku kryeqytetas ka në dispozicion më shumë kohë për të përgatitur ekipin dhe të njohë nga terreni karakteristikat e lojtarëve. Ndeshja miqësore e kombëtares së Shqipërisë kundër Turqisë ka spostuar javën e 10-të të kampionatit. Kësisoj, ndeshja ndaj Laçit nuk do të jetë në fundjavë, por të mërkurën. Kjo nuk i jep vetëm mundësi Starovës të mësohet me skuadrën, por e favorizon edhe te të dëmtuarit.
DËMTIMET – Çani, Sukaj, Adorjan dhe Herrera janë të dëmtuarit e Partizanit. Sulmuesi i ardhur në verë ka nisur vrapime të lehta dhe duhet parë nëse do të provojë stërvitjen duke qenë se ka edhe një ultimatum “sipër kokës”. Sulmuesi Xhevahir Sukaj vuan nga një dëmtim që nga ndeshja me Luftëtarin, e fituar me rezultatin 2-0. Shkodrani pati një problem në gju, ndërsa pritet që me Laçin ta nisë edhe si titullarë, pasi me shumë mundësi do të nisë stërvitje që këtë javë me grupin. 30-vjeçari nisi vrapimet me grupin që javën që lamë pas. Adorjan ishte një tjetër mungesë kundër Kamzës, mesfushori hungarez la fushën e lojës kundër Flamurtarit, por nuk zhvilloi fare stërvitje me ekipin gjatë javës. Pritet që edhe 24-vjeçari të bëhet gati për ndeshjen kundër Laçit. Herrera ishte një tjetër emër që nuk u stërvit para Kamzës, për shkak se u dëmtua në sfidën kundër Flamurtarit. Panamezi duhet parë se çfarë roli do të ketë në skuadrën e Starovës, pasi edhe pse mund të jetë gati me shumë mundësi nuk do të preferohet nga numri një i stolit.