Punë intensive për një tjetër mini-stadium, FSHF njofton nisjen e punimeve

Shumë shpejt Shqipëria do të ketë një stadium tjetër me parametrat europian, por dhe nga më të bukurit në rajon, të paktën sicc është premtuar në nisjen e punimeve. Ndërtimi ka ecur me ritme të shpejta dhe pritshmëritë janë që në fillim të vitit 2019 të ketë përfunduar Arena Kombëtare.

Paralelisht me impiantin e madh në qendër të Tiranë, puna vijon dhe për ndërtimin e selisë së re të FSHF-së. Po ashtu FSHF ka njoftuar sot se gjatë muajit tetor do të nisë puna dhe për ndërtimin e fushave sportive dhe një mini-stadiumi të ri tek ish-kompleksi Dinamo.
Bëhet fjalë për një mini-stadium, i cili do të ketë të gjitha kushtet si një stadium normal.

“Një tjetër investim paralel me kantierin e madh të “Arenës Kombëtare” është edhe kompleksi që përfshin Selinë e re të FSHF-së, si edhe mini-stadiumi në shërbim të ekipeve kombëtare, apo dhe të futbollit shqiptar në tërësi. Punimet vijojnë edhe këtu me ritme të larta, teksa parashikohet që brenda muajit prill të vitit të ardhshëm, të ketë përfunduar godina e selisë së re, sipas projektit përkatës. Momentalisht janë ezauruar punimet për katin përdhe, në një kohë që ka nisur puna për ngritjen e katit të parë. Ndërkaq, brenda tetorit që sapo ka hyrë do të nisin punimet edhe për ndërtimin e mini-stadiumit dhe dy fushave përkatëse. Fillimisht, sipas inxhinierëve që ndjekin punimet do të nisë ndërtimi i tribunës multi-funksnionale në të dy krahët, ku do të jenë të dy fushat, dhe ku mund të ndiqen dy ndeshje në të njëjtën kohë.

Është parashikuar që tribunat do të përfshijnë të gjithë sektorët e domosdoshëm, si në çdo stadium, përfshirë tribunën e medias për të dy anët. Po kështu, në ambientet e brendshme është projektuar dhe do të ngrihet një sallë e madhe fizioterapie në dispozicionin të futbollistëve të të gjitha moshave. Ambientet e brendshme do të jenë njësoj si në stadiumet e ndryshme, me dhomat e zhveshjeve të skuadrave, dhomën e arbitrave, zyrtarëve, kontrollit anti-doping, etj. Pas përfundimit të tribunës funksionale në të dyja anët, puna do të vijojë me fushat. Rritja e intensitetit të punës në ngritjen e godinës së re të FSHF-së ka bërë që punimet për tribunën të nisin këtë muaj. Sipas inxhinier Arben Dervishajt, njëherësh edhe anëtar Komiteti i FSHF-së, referuar edhe ritmit dhe ecurisë së deritanishme të punimeve, Shtëpia e re e Futbollit Shqiptar, me zyrat e reja të Federatës, dhe mini-stadiumin me dy fushat përkatëse të jetë gati në fund të muajit maj të vitit të ardhshëm. Punimet e këtij kompleksi kanë nisur në fillim të këtij viti, në një kohë që mini-stadiumi pritet të jetë tërësisht funksionabël edhe për ndeshje zyrtare e miqësore të kombëtares së moshave, apo edhe sfida të tjera brenda vendit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *