Nga Klaudio Ndreca
Ashtu siç edhe pritej, nuk ka munguar shumë dhe është publikuar video e sherrit të Eros Grezdës. Futbollisti shqiptar rrezikon një pezullim të gjatë në futboll, pasi nuk i ka përmbajtur nervat në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Rijekës.
Ndeshja ka përfunduar në shifrat 3-2, ndërsa ka pasur shumë ankesa nga ana e Osijekut për arbitrimin. Në përfundimin e saj është zhvilluar edhe një pjesë e tretë me protagonist Eros Grezdën. Ky i fundit ka pritur lojtarin kundërshtar, Colak, duke vazhduar një dialog të lënë përgjysmë.
Këtë herë jo vetëm me një konflikt verbal, por duke e goditur me grusht. Menjëherë kanë ndërhyrë të gjithë të pranishmit, por Colak që ishte gjakftohtë nisur nga rezultati i marrë dhe serioziteti i gjendjes, nuk ka reaguar. Tashmë video e sherrit është shpërndarë në mediat kroate dhe për sulmuesin shqiptar ka një “gjyq publik”, me komentet e shumta të tifozëve që nuk e përtypin kurrsesi një sjellje të tillë. /Sport Ekspres/