Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, u gjend në qendër të vëmendjes së publikut, pasi i tronditi lojtarët e tij duke vendosur t’i ndëshkonte para Vitit të Ri dhe t’u prishte festën.
Lojtarët e Milanit, të cilët këtë sezon po mbrojnë titullin kampion në Itali, janë plotësisht të përgatitur për ndeshje të reja, por përgatitjet për vazhdimin e sezonit nuk kanë shkuar shumë mirë.
Kuqezinjtë luajtën tre ndeshje përgatitore dhe përjetuan disfata dhe e fundit e goditi vërtet Piolin.
Milani zhvilloi një ndeshje miqësore kundër PSV-së në të cilën kampionët e Italisë u mposhtën me rezultat 3-0 dhe kjo ishte humbja e tretë për këtë skuadër në ndeshjet përgatitore pasi më herët u mposhtën nga Liverpool dhe Arsenal.
Kjo disfatë i ra rëndë Piolit, i cili ishte jashtëzakonisht i zemëruar dhe i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen kundër PSV-së dhe vendosi t’ia bëjë të ditur.
Mediat italiane shkruajnë se Pioli ka shokuar lojtarët e tij kur u tha se do të ndëshkoheshin dhe se të gjithë ata që kishin planifikuar ta festonin Vitin e Ri jashtë Milanos, duhej ta anulonin.
Trajneri i Milanit tha se lojtarët nuk do të kenë ditë pushimi sot dhe nesër siç ishte planifikuar, e kjo për shkak të lojës së keqe ndaj PSV-së. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/