Nga Klaudio Ndreca
Dritan Shakohoxha ka bërë një analizë për situatën e fundit që është duke kaluar futbolli në Shqipëri. Gazetari dhe komentatori sportiv shprehet për “Report TV” se për futbollistët është e mjaftueshme paga prej 30 mijë lekësh të reja që ka dhënë FSHF. Njëkohësisht duke shprehur vlerësimin për Edi Ramën, teksa e konsideron si kryeministrin që ka ndihmuar më shumë sportin në historinë shqiptare për ndërtimin e stadiumeve. Më tej Shakohoxha e quan si populizëm abuziv pjesën kur përmendet bashkimi në një Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Janë të mjaftueshme 30 mijë lekë të reja për një futbollist , pasi ata marrin rrogat, ku 92 % e klubeve janë nën administrim të bashkive dhe asnjë nuk ka thënë ndonjëherë se janë ndërprerë rrogat. 30 mijë lekë janë plus nga FSHF. Pagesa e FSHF ka qenë një moment i vështirë, gjithsesi besoj se futbollistët më shumë se një rrogë 300 mijë lekë vlen të hapen fushat që të luhet sërish.
Shqipëria dhe Kosova? Nuk kemi pse kemi një kombëtare, ne jemi dy shtete dhe kemi dy kombëtare. Ky është një populizëm abuziv, pasi deri sa kemi dy shtete do të kemi çdo gjë me 2 dhe dy kombëtare. Pas krijimit të shtetit të Kosovës, iu dha mundësia disa djemve të tjerë që të përfaqësojnë popullin e tyre. Nuk besoj se u forcua njëri apo u dobësua tjetrit.
Fjalët e Rudi Vatës: Vata i ka provuar të gjitha është bërë trajner, drejtor, menaxher të federatës së futbollit. Nëse nuk je i aftë të bësh diçka nuk është më faji i të tjerëve, por është i yti. Sot të gjithë të bëjnë atë që janë të aftë të bëjnë këtë gjë, gjithsesi Shqipëria është e madhe për të jetuar të gjithë. Igli Tare nuk ka pranuar asnjëherë të vij në Shqipëri edhe pse i është bërë oferta. të dy kanë dhënë kontributin e tyre.
Edi Rama: Kryeministri aktual është ai që ka ndihmuar më shumë sportin në historinë shqiptare për ndërtimin e stadiumeve. Sigurisht që kjo nuk mjafton dhe duhen ende investime në sport, por siç e thashë 92 % e klubeve janë pronë e bashkive dhe paguhen rrogat nga bashkitë”, ka thënë Shakohoxha. /Sport Ekspres/