“Pse iku Balaj?”! Odise Roshi tregon sesi po pendohen në Rusi: Po çalon ekipi i Akhmatit sa na iku Bekimi

Nga Klaudio Ndreca

Odise Roshi dhe Bekim Balaj janë të pandarë, ndërsa në shoqërinë e ngushtë të njëri-tjetrit gjenden edhe në këto ditë të vështira për shkakun e Koronavirusit. Të dy lojtarët e Kombëtares kanë qenë në një lidhje direkte në “Fan Zone”, teksa ndodhen në Austri.

Kështu Roshi ka treguar sesi ka mbërritur në shtëpinë e Balaj gjatë kësaj kohe, megjithëse po kërkonte që të vinte në Shqipëri. Gjithashtu sipas tij te Akhmati janë penduar që e larguan sulmuesin pykë të Kombëtares, pasi në këtë sezon po luftojnë për mbijetesën.

“Unë në fakt isha nisur me një çarter për në Shqipëri, pasi te Akhmati na dhanë lejen që të iknim në shtëpiat tona. Por vendi ynë do e bllokonte aeroportin dhe për këtë arsye erdha te Bekimi që të qendronim bashkë.

Në fakt që me largimin e tij nga Akhmati, kemi çaluar shumë. Madje edhe vetë shokët e skuadrës thonë gjithmonë: “Pse iku Balaj, pse iku Balaj?”. Megjithëse ka bërë mirë në fakt, pasi ndihet më i lumtur në Austri”, tha Roshi. /Sport Ekspres/