Pse FSHF nuk e ndryshon sistemin e gjykimit?

Pranuar hapur nga të gjithë, arbitrat janë skuadra më e keqe e kampionatit. Në mungesë të një vetingu, atëherë përse të mos marrë jetë ideja e dizenjatorit të huaj?

Gjergji Stefa

Pagat modeste të gjyqtarëve të futbollit dhe të ardhurat e tyre shtesë nga profesionet personale nuk justifikojnë jetën e tyre deri diku luksoze, makina të shtrenjta, pushime të majme dhe apartamente në qendër të kryeqytetit. Gojët e liga, që kushedi pse në këtë vend thonë gjithnjë të vërtetën, thonë që prej më shumë se 2 dekadash sistemi i gjykimit në Shqipëri, ca më tepër në futboll, është i korruptuar dhe nuk ka pothuajse asnjë gjyqtar në këto 25 vite që nuk ka marrë para nën dorë për favore të ndryshme në situate të caktuara.

Sigurisht që sistemi gjyqësor në futboll nuk mund të konsiderohet një oaz i shkëputur nga realiteti i gjyqësorit në përgjithësi dhe në një vend ky gjykatat nuk kanë asnjë ndjeshmëri besimi, nuk mund të mendosh që në futboll të jetë ndryshe. Nga konstatimi te propozimi, të gjithë në unison e pranojnë që janë skuadra më e dobët, por askush nuk ofron zgjidhje. Trajnimet dhe rritja e shpërblimeve ka qenë një hap përpara, ndërkohë që as pezullimet e madje as përjashtimet e mëdha të sezonit të shkuar nuk i kanë frikësuar gjyqtarët e gjithë kategorive që në varësi të nivelit personal dhe nivelit ku arbitrojnë të vërshëllejnë jo vetëm me ndërgjegje, por dhe me interesa.

Përveçse te kjo klasë gjyqtarësh nuk beson njeri, ajo që bën përshtypje është se nuk ka më as respekt njeri. Deri disa vite më parë alibia e gjyqtarëve ka qenë ‘kushte te vështira të drejtimit, shpërblimet e vogla, presioni i madh nëpër fusha të nxehta dhe nga drejtuesit’. Këto fenomene janë minimizuar dhe ajo çka në këtë moment vihet re është deri diku presioni i presidentëve, paratë e dhëna nën dorë dhe në ndonjë rast fryma e insistucionit që tejçohet dhe te gjyqtarët.

Një zgjidhje e natyrshme, jo origjinale, madje e sprovuar në botë, do ishte një dizenjator gjyqtarësh i huaj. Flamuri i kostove të larta nuk është argument për të mos e provuar si mundësi. Federata Shqiptare e Futbollit prej 16 vitesh ka vendosur që trajneri i përfaqësueses të jetë i huaj, ndoshta me të drejtë, për tre arsye kryesore: presupozohet të jenë më të kualifikuar dhe të kenë më shumë përvojë, të kenë një status financiar që do t’i lejonte të bënin një punë pa tundim dhe të mos kenë lidhje farefisnore në një vend të vogël ku të gjithë preferojnë të shfrytëzojnë nepotizmin.

Ky propozim nuk është një risi në futbollin ndërkombëtar. Disa liga europiane dhe botërore, duke pasur parasysh problematikën në përzgjedhjen e gjyqtarëve, vendosën që dizenjatorët t’i marrin të huaj, madje emra me peshë të arbitrimit. Kiros Vasaras, ish-gjyqtar i njohur grek, punon si dizenjator në kampionatin rumun, ndërkohë që Stiv Benet punon në Dubai, duke zëvëndësuar në detyrën e dizenjatorit një ish-gjyqtar si Hauard Ueb, ai që gjykoi finale e Botërorit 2010, Spanjë-Holandë. Mark Klatenburg, ish-gjyqtar i huaj anglez, punon në Emiratet e Bashkuara Arabe, e kështu me radhë mund të gjesh shembuj sa të duash në arenën ndërkombëtare.

Me gjithë respektin për Petrit Brahjën, dizenjatorin e gjyqtarëve të futbollit në Shqipëri, me ndjesinë se ai realisht nuk është as koka e ca më shumë ideatori i sjelljes së gjyqtarëve, ashtu sikundër vepruam me trajnerin e Kombëtares duhet të veprojmë dhe me dizenjatorin e arbitrave të kampionatit. Një i huaj ndoshta nuk do ishte 100% i suksesshëm, por të paktën do evitohej paragjykimi dhe ndoshta – gjithnjë ndoshta – nuk do t’i dimë gjyqtarët para ndeshjeve, madje dhe para dizenjatorit. Ky sistem duhet shkundur njëherë e mirë, që të mos shohim ndeshje të turpshme dhe pas një jave arbitri të shfaqet me stil në Kategorinë e Parë e pas dy javësh të kthehet në Superiore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online