Pengesa e parafundit, sepse pas turit të tretë do të jetë playoff i Champions League dhe aty, sigurisht, nëse Shkëndija do të arrijë, ka siguruar grupet e Europa League në rast eliminimi… Por, pengesa ose “barrikada” quhet Red Bull Salcburg, një kundërshtar që Partizani e njeh shumë mirë pasi dy vjet më parë ishin austriakët ata që i eliminuan në turin e tretë të Champions League, duke i mundur në të dy ndeshjet.
Por, ndoshta eksperienca e vjetshme me Milanin në turin e dytë kualifikues të Europa League mund të jetë një eksperiencë e vlefshme se si të përballesh me një skuadër të madhe dhe që sigurisht ka të tjera buxhete…
Sepse, Salcburgu është një ekip “big”, duke kujtuar që vetëm edicionin e shkuar të Europa League do të mbërrinte deri në gjysmëfinale dhe pasi kishte eliminuar Lacion e Thomas Strakoshës, me një përmbysje të madhe.
Shkëndija do të përballet me Salcburgun në datën 7 dhe 14 gusht. Ndeshja e parë do të luhet në Austri, ndërsa e dyta në Maqedoni.
Por, ajo që duhet shtuar është se ky kualifikim jo vetëm që ishte arritje historike për kuqezinjtë e Tetovës, por edhe një buxhet i rëndësishëm për menaxhimin e klubit.
Sepse, nëse bëhen llogaritë, nga turi i parë i Champions te i dyti dhe i treti, por edhe në rast eliminimi e playoff i Europa League, gjithashtu duke mos arritur të shkojë në grupe, arkat e kuqezinjve do të jenë të pasura.
Pra, që sot mund të themi se Shkëndija e Tetovës ka fituar minimalisht 1,7 milionë euro. Turi i parë ka sjellë 280 mijë euro, i dyti 380 mijë euro të tjera, ndërsa i treti 480 mijë euro.
Në playoff të Europa League, fiton edhe 300 mijë euro të tjera, ndërsa si solidaritet, në rast se nuk arrin të shkojë në grupet e këtij kompeticioni, UEFA i dhuron edhe 260 mijë euro të tjera.