Prova që tregon se përse Ibrahimoviç kalon Ronaldon, Milani merr tjetër fitore dhe Skudeto nuk është mirazh

Tashmë nuk mund të konsiderohet më si një mirazh triumfi i Skudetos për ekipin e Milanit që ka marrë një tjetër fitore në kampionat, duke ia dalë në shifrat 1-2 kundër Sampdorias. Në këtë mënyrë grumbulluohen tre pikët e radhës duke treguar forcën dhe ndryshimi nga sezoni i kaluar. Në minutën e 45 ishte Kesie që shënoi nga pika e bardhë, ndërsa Kastijeo gjeti rrjetën për herë të dytë për kuqezinjtë në minutën e 77, ku kishte vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushën e blertë. Në këtë mënyrë realizimi i Ekdal do t’i shërbente vetëm statistikave.

Kështu Milani qëndron në vendin e parë për t’u shkëputur me 5 pikë larg Interit. Shumëkush që sheh fitoret e Milanit edhe pa Ibrahimoviç shprehet gabimisht: “Atëherë, ata fitojnë edhe pa Zlatan”. Por në këtë moment vijnë në kujtesë fjalët e trajnerit të njohur, Alberto Zakeroni, të thëna vetëm pak javë më parë: “Në Itali është impakti i Ibrahimoviç për të ndryshuar skenën e futbollit më i madh se i Ronaldos. Juventusi ishte më i fortë se Milani, por me ardhjen e Ibrahimoviç janë shumë lojtarë të rinjë që po rriten që pas ardhjes së suedezit”. Pra që me ardhjen e sulmuesit suedez janë tjetërsuar edhe futbollistët e tjerë të Milanit, për të bërë rritjen e nevojshme që kuqezinjtë të jenë konkurrues dinjitoz edhe për të fituar titullin në Seria A, ndryshe nga e kaluara, atje ku nuk po arrihej as në fazën e grupeve të “Champions League”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *