Federata Saudite e Futbollit ka njoftuar sot se ka përjashtuar përjetë arbitrin Fahd al Mirdasi, i përzgjedhur nga FIFA për të arbitruar në Kupën e Botës këtë verë, për shkak se ka kërkuar ryshfet për të ndihmuar një ekip saudit.
Komisioni i Disiplinës në Federatën Saudite ka informuar FIFA-n në lidhje me çështjen, duke kërkuar që pezullimi i arbitrit të hyjë në fuqi menjëherë edhe në arenën ndërkombëtare.
Gjatë marrjes në pyetje nga Komisioni i Disiplinës, Al Mirdasi ka pranuar se ka kërkuar para nga drejtuesit e Al Itihadit, të cilëve u kishte ofruar ndihmë për të fituar finalen e Kupës së Mbretit.
Denoncimi erdhi nga presidenti i klubit, Hamad al Saunija, i cili para finales zbuloi edhe mesazhet në Whatsapp, ku arbitri i bënte ofertën. Federata Saudite e ndërroi arbitrin para finales që u lus jt të shtunën e shkuar, ku Itihadi fitoi 3-1 ndaj Al Faisalit.
Al Mirdasi ka arbitruar në nivel ndërkombëtar që prej vitit 2011, duke përfshirë Kupën e Konfederatave vjet në Rusi, apo Lojërat Olimpike në Rio 2016.
Duhet kujtuar që në Arabinë Saudite, vend shumë i pasur, ligjet janë shumë të ashpra dhe shkelje të tilla nuk tolerohen, ndaj Al Mirdasi rrezikon shumë. Imagjinoni tani ç’mund të bëjnë arbitrat në vende më pak të zhvilluara e e të pasura si Shqipëria?