Një fitore në 6 ndeshje, asnjë pikë në dy ndeshjet e fundit dhe mbi të gjitha disfatë ndaj Kamzës: kaq ka mjaftuar që në Gjirokastër të marrë fund durimi dhe pas Daniel Fernandezit, është larguar edhe Luis Kurbelo.
Një projekt i nisur me premtime të mëdha, por me këmbë ters, sepse përgatitjet nisën tepër vonë he për këtë nuk kanë faj trajnerët. Edhe fakti që nuk e kishin të lehtë të komunikonin me lojtarët shqiptarë ishte një problem i Luftëtarit, jo i trajnerëve. Gjithsesi, tashmë ka marrë fund dhe largohet edhe Kurbelo.
Vendin e tij e merr Hasan Lika, një kthesë e fortë e klubit gjirokastrit, që pas kthimit në Superiore provon për herë të parë një trajner shqiptar.
Hasan Lika është një emër i madh i trajnimit shqiptar, por nuk do ta ketë të lehtë në një ambient të tronditur keqas, ndërkohë që kampionati këtë sezon duket edhe më i ndërlikuar se ai i vjetshmi.