U zhvillua këtë të shtunë në Vlorë, Konkursi Ndërkombëtar për projektin e ri të stadiumit të qytetit, “Flamurtari”, ku tre studiot arkitekturore të përzgjedhura si finaliste, FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë) prezantuan idetë e shndërrimit të tij, jo vetëm në mjedise sportive por edhe sociale e ekonomike.
I pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili, ashtu sikurse edhe në dy konkurset e tjera, është sërish pjesë e jurisë që do të përzgjedhë edhe projektin fitues. Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka u shpreh se qyteti i Vlorës e meriton një stadium të ri e modern.
Kreu i FSHF-së nënvizoi se futbolli në Shqipëri është zhvilluar shumë vitet e fundit, qoftë në infrastrukturë, me katër stadiume të reja, por edhe në dy komponentët e tjerë të futbollit, në anën edukative si edhe në bazën materiale falas për të gjithë fëmijët.
Presidenti Duka nuk ngurroi të bënte edhe njëherë thirrje për bashkëpunim me njësitë vendore në Vlorë, klubin ‘Flamurtari’ apo edhe biznese të qytetit bregdetar për ndërtimin e sa më shumë fushave për fëmijët, ndërsa nënvizoi se FSHF do të mbështesë çdo projekt. Ndër të tjera, numri 1 i futbollit shqiptar garantoi se juria sot do të përzgjidhë veprën më të mirë ndër tre projektet finaliste, për t’i shërbyer Vlorës, futbollistëve, medias dhe sigurisht, tifozëve.