Përfaqësuesja kuqezi nuk e ka luksin që të pushojë asnjë moment, pasi duhet të nisë që të mendojë për ndeshjen e radhës që ka me Skocinë, të hënën në mbrëmje. Skuadra e Panuçit ka një sfidë akoma dhe më të vështirë, pasi ndeshet me skuadrën që konsiderohet si ekipi më i fortë i grupit.
Pas suksesit me Izraelin, nga sot nis puna për sfidën e radhës dhe koha në dispozicion është shumë e vogël. Skuadra do të vijojë që të qëndrojë në Elbasan edhe ditën e sotme, ku do të zhvillojë në stadiumin ku u zhvillua ndeshja një seancë të shtrydhëse për të rikuperuar energjitë.
Udhëtimi për në Skoci do të bëhet nesër, me delegacionin shqiptar që do të udhëtojë me çarter direkt nga Tirana. Menjëherë pas mbërritjes, skuadra do të zhvillojë dhe seancën e fundit para takimit në Hampden Park. Takimi mes Skocisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet të hënën në orën 20:40.