Programi i FSHF për “Futbollin në Shkolla”, flasin mësuesit: Eksperiencë e vlefshme, urojmë të zbulojmë talentet e reja

Trajnimi tre-ditor me 116 mësuesit e edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria, në kuadër të programit ‘Futbolli për Shkollat’, një projekt bashkëpunimi mjaft i frytshëm mes FSHF-së, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga FIFA u mbyll me sukses të premten, me një festival futbolli, i zhvilluar në ‘Shtëpinë e Futbollit’. Në ditën e fundit të trajnimit, të gjithë mësuesit vunë në zbatim njohuritë e marra në dy ditët e seminarit që u udhëhoqën nga trajnuesit e FIFA-s. Rreth 200 fëmijë të grupmoshës 8-14 vjeç, djem e vajza ishin të pranishëm dje në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku patën mundësi të bënin ushtrime të ndryshme me top nën drejtimin e mësuesve të edukimit fizik.

Protagonistët e këtij programi, që janë mësuesit e shkollave 9-vjeçarë, të cilët do të vënë në zbatim këtë projekt nga edicioni i ri shkollor, në prononcimet për fshf.org e konsideruan si mjaft të vlefshme këtë eksperiencë dhe shpresojnë që t’ia arrijnë qëllimit kryesor që ka programi ‘Futbolli për Shkollat’: Të evidentojnë talentet e reja nëpër shkolla.

“Quhem Hektor Kapllani, jam përfaqësues i shkollave të Korçës. Jam mësues i edukimit fizik dhe njëkohësisht edhe trajner futbolli. Ka qenë një eksperiencë fantastike, shumë e bukur. Ia vlejti. Jo vetëm për mua që kam eksperiencë, por edhe për mesuesit e tjerë të edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria. Është një projekt shumë ambicioz. Dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe FIFA-n. Sa herë që ka bashkëpunim mes faktorëve shumë të rëndësishëm, dalin gjëra fantastike. Është një program i vlefshëm. Produkti u pa në këto seanca stërvitore që ne realizuam. Çdo gjë ishte e mirëorganizuar nga të gjithë ne, nga drejtuesit, nga menaxheri i projektit dhe fëmijët vura re që ishin tejmase të impenjuar”.

“Jam Ledjan Taullau, ish-futbollist dhe punoj në Zyrën Arsimore të Lushnjes, jam mësues i edukimit fizik. Në radhë të parë falënderojmë FSHF-në, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit sepse na vlejti shumë si eksperiencë në mbarëvajtjen e zhvillimit të sportit nëpër shkolla. Besoj se do të vlejë shumë sepse do të dalin elementë që do t’i vlejnë skuadrave të qytetit si dhe duke përfaqësuar Shqipërinë, pse jo edhe në kompeticione të huaja. Njohuri të reja? – Dija nuk ka fund. E mirëpritëm me shumë kënaqësi. Shkëmbyem eksperienca edhe me kolegët por edhe me trajnuesit e FIFA-s. Na vlejti shumë ky trajnim”.

“Jam Ardian Gega, mësues i edukimit fizik në Kuçovë. Ishte një nga eksperiencat më të bukura deri tani që kemi pasur deri tani, falë FSHF-së, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe FIFA-s, të cilët i falënderojmë. Shkëmbyem idetë dhe arritëm të mësonim gjëra të reja me specialistët e FIFA-s, duke rrahur mendimet edhe mes kolegëve. Do të jetë një nismë që do të na ndihmojë shumë për të evidentuar talentet nëpër shkolla dhe më pas këta fëmijë të marrin pjesë në ekipet e qyteteve dhe në ekipet rajonale. Siç e dimë nga ekipet e bazës dalin edhe lojtarët më të mirë. Shpresoj që t’i evidentojmë në shkollat tona dhe t’ia arrijmë qëllimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *