Çfarë mund të arrijnë 20 skuadrat e Kategorisë së Parë në garën e gjatë dhe të vështirë, që starton këtë fundjavë…
Nga Shpëtim Gjoshi
Kjo fundjavë afron fillimin e kampionatit të Kategorisë së Parë. Një betejë prej 26 javësh, me 20 skuadra të ndara në dy grupe, A dhe B. Luftë e fortë për ngjitjen në Superiore dhe për evitimin e rënies në Kategorinë e Dytë. Duke dashur të komunikojmë me lexuesit, pse jo dhe të mirëkuptohemi me ta, nisur nga të dhënat e klubeve, vëzhgimet dhe përvoja, kemi menduar një prognozë të këtij kampionati.
Pretendentët për në Superiore
BESËLIDHJA – Vite radhazi që investohet për në Superiore, por pa e arritur atë. Këtë herë përsëri mendohet pretendente në grupin A. Ndryshimet në drejtimin teknik dhe grupin e futbollistëve, mund të kenë ndikim në këtë synim të lezhjanëve.
KASTRIOTI – Investimi i veçantë në drejtim dhe në cilësinë e futbollistëve krijojnë besimin se nuk do të jetë Kastrioti i edicionit të shkuar, por ai i edicionit 2015-2016.
ERZENI – Një fillim i mefshtë në përgatitje, por mbështetja nga klubi krijoi mundësinë për një ekip serioz. Nëse nuk do të kenë ulje-ngritje, shijakasit duhet llogaritur pretendentë për në Superiore.
TOMORI – Entuziazmi i një tekniku të ri moshë dhe trajning ka ndikuar në një përgatitje serioze, afrime të shumta, duke sjellë edhe një ambient ndryshe në klubin beratas.
TIRANA – Për herë të parë në historinë e saj, Tirana “shkel” në këtë kategori. Një ambient i panjohur për të dhe për teknikun Ze Maria. Treguesit paraprakë janë për një skuadër pretendente për në Superiore. Me një skuadër të tillë në grupin B, pjesëmarrëset e tjera janë shtangur dhe kanë rënë moralisht, por gjithçka mund të ndodhë.
Grupi i qetësisë…
TËRBUNI – Zhgënjim në kampionatin e shkuar, ku iu largua fundit vetëm në dy takimet mbyllëse. Tekniku Krepi, me përvojën e tij, e ka riorganizuar skuadrën dhe të paktën takimet në shtëpi do të jenë vendimtare për pukjanët.
EGNATIA – Kategoria e Parë do të jetë një “kockë e forte” për teknikun Gjoni, ndaj lipset të tregojë se paraqitja e vitit të shkuar ka shërbyer për ndërtimin e Egnatias së duhur.
VLLAZNIA B – Mund ta cilësojmë si “surpriza” e grupit A në Kategorinë e Parë. Elementët e akademisë dhe futbollistët e Vllaznisë në Superiore janë të aftë për një skuadër, që do të lërë gjurmë në Grupin A.
BYLIS – Duket se nuk ka entuziazmin e shkuar, me synime të mëdha deri në takimin e fundit. Por me elementët cilësorë që kanë qëndruar dhe me një teknik si Bledar Devolli, ballshiotët mund të jenë përsëri rivalë të denjë.
POGRADECI – Me largimin e futbollistëve cilësorë, pogradecarët nuk kanë pretendime të mëdha, por nuk mendohet të rrezikojnë për rënien nga kategoria.
DINAMO – Në krahasim me kampionatin e kaluar, këtë vit blutë e kryeqytetit duken më të plotë, më të kompletuar, ndaj mund të rriten pretendimet, duke mos pranuar vendet 6 e poshtë.
APOLONIA – Ripërtëritja e përvitshme e skuadrës nuk ka qenë e lehtë. Tekniku Kashami ka aftësitë për të ndërtuar një skuadër rivalizuese, por fierakët ende nuk mund të jenë gati për t’u ngjitur në majë të renditjes.
Grupi i mbijetesës
BESA – Rikthimi i presidentit Nexhat Bizhdilit ka krijuar tjetër atmosferë në klub. Një projekt i bazuar te të rinjtë, ndërsa afrimet cilësore kanë rritur pretendimet dhe kavajasit pritet të mos jenë pjesë e luftës për mbijetesë.
KORABI – Pas vështirësive të vitit të kaluar dhe rikthimit në Kategorinë e Parë, dibranët duken më të organizuar. Nëse qetësia do të jetë e siguruar dhe nëse gjithçka shkon mirë, Korabi duhet të renditet në 5 të parat për në fazën e tretë.
BURRELI – Treguesit të çojnë në gjykimin se këtë vit do të jenë të rrezikuar, sepse skuadra k pasur ndryshime. Mbijetesa do të jetë ndoshta i vetmi synim i matjanëve.
TURBINA – Vitin e dytë në stol i Sinan Bardhit, i cili nuk do të tolerojë gabimet e shkuara. Largimet dhe afrimet jo të shumta, por edhe zgjedhje të mira janë bërë në grup. Këtë edicion kërkohet eksperienca e nevojshme për ta çuar skuadrën drejt rritjes së cilësisë.
SHËNKOLLI – Në drejtim ka një ”veteran” në karrierë, i cili e ka kompletuar skuadrën me një ndërthurje futbollistësh të rinj dhe me përvojë. Do të ketë një entuziazëm dhe mund t’ia dalë mbanë.
SHKUMBINI – Nga klubi është pritur më shumë në investime dhe në përzgjedhjen e futbollistëve më cilësorë. Skuadra ka elementë të rinj dhe pikëpyetje që duan përgjigje. Vitin e kaluar i habiti të gjithë në fund, por këtë herë duhet të kthehet me “këmbë në tokë”.
ILIRIA&NAFTËTARI – Do të përpiqen “të notojnë në ujëra të qeta”, duke qenë të vetëdijshëm se ka shumë skuadra më të mira se ato, por edhe më të dobëta. Kanë drejtues me përvojë, veçse lëvizjet në merkato nuk sigurojnë besueshmëri për të vegjetuar në mesin e renditjes.
Të mërkurën e kësaj jave u luajtën ndeshjet e para të turit të Kupës së Shqipërisë. Rezultatet e arritura nuk janë “vitrina” e forcës reale të këtyre skuadrave. Kampionati, që do të startojë këtë fundjavë do të sjellin imazhet e vërtetë të këtyre “personazheve” të Kategorisë së Parë.