Progni të rishikojë premtimin! Dopietë në fitoren e Gjilanit, Mezani e kthen në spektakël

Ekipi i Mezanit ka fituar me rezutatin 1-4 në transfertën me Flamurtarin, duke marrë tre pikët e radhës në kampionatin kosovar, pasi humbi derbin e fundit me Drenicën. Triumfi i sotëm e ngjit Gjilanin në vendin e pestë në tabelën e renditjes me 15 pikë të grumbulluara në këto 8 ndeshje të luajtura.

Tre prej golave të shënuar për ekipin e Gjilanit kanë ardhur nga ish-futbollistët e Superiores. Do të ishte fillimisht Progni që do të gjente rrjetën në minutën e 20 dhe po ai do të dyfishonte më pas shifrat në të 30-ën.

Ndërkohë goli do të vinte edhe për një tjetër lojtar të ardhur nga Superiorja, pasi Greca do të shënonte të tretin në minutën e 54. Vendasit shënojnë golin e nderit në minutën e 74, ndërsa në kohën kur ndeshja ishte drejt përfundimit ekipi i drejtuar nga Mezani i çon shifrat finale në 1-4 me Fiton Hajdarin.

Për t’u mos harruar është edhe premtimi i Prognit, që i ofron “Red Bull” të gjithë skuadrës pas çdo goli apo asisti. Në një ndeshje të tillë si kjo ndaj Flamurtarit, ndoshta duhet të mendohet dy herë.  /Sport Ekspres/