“Profeti Maldini”! Intuita mahnitëse dhe si një skenë filmi me Hernandez: Të shoh ty dhe shoh dy burra…

Nga Klaudio Ndreca

Historia e Theo Hernandezit te Milani është një motivim më vete për të kuptuar edhe mesazhin e madh: “Gjithmonë duhet të shkosh atje ku e kuptojnë vlerën tënde”. Reali i Madridit e kishte një thesar të madh në skuadër dhe nuk duroi gjatë, për t’ia dhënë Milanit për një shifër që tanimë mund të quhet “dhuratë”, vetëm 20 milionë euro.

Hernandez konsiderohet aktualisht si mbrojtësi i majtë më i mirë në botë së bashku me Alphonso Davies dhe është tërësisht i kompletuar. Shpejtësi, driblime, mbyllje të kundërshtarit, krosimet perfekte dhe pasimi i fundit që rezulton fatal për kundërshtarin, e bashkuar kjo me realizimet personale falë goditjeve që në shumicën e rasteve kanë saktësinë e duhur.

E vjen goli i fundit ndaj Lacios për të treguar se Hernandez është i mirë edhe në lojën në ajër pasi shënoi me kokë. Çfarë mund të kërkohet më tepër? Hernandez nuk shkëlqen te Milani vetëm në këtë moment kur “koha është e hapur”, por ka qenë ylli i vetëm mes stuhisë së madhe të kuqezinjëve.

Gjithmonë duke dalluar për mënyrën e tij të lojës dhe duke bërë progres në çdo ditë, për të mbërritur në këtë pikë. Një intuitë mahnitëse e Maldinit që e kthen edhe në “profet” pasi në verën e 2019 ka shkuar vetë në Ibiza për të bërë gjithçka që Theo të nënshkruante për Milanin.

Akoma edhe më interesante janë fjalët e Maldinit gjatë momentit që Hernandez do të shkelte për herë të parë në Milanello: “Për mendimin tonë Theo është një nga mbrojtësat e majtë më të mirë në botë. Do të përfundojë tek tre më të mirët e botës, ky është edhe objektivi që ai duhet të ketë. Për këtë moment mund të themi se Milani është në rindërtim dhe për mendimin tim, afrimi i Theos ishte gjëja më perfektë. Le të rritemi bashkë, kjo është ideja”.

Kështu edhe do të ndodhte teksa Milani do të rritej së bashku me Hernandez. Në ndeshjen e fundit që Milani fitoi mes dramës kundër Lacios në shifrat 3-2, për t’u shpallur si kampioni i dimrit, Maldini zbriti në fushë dhe personi i parë që përqafoi ishte Theo Hernandez.

Me ndjenjën e krenarisë për “bingon” që bëri me “heroin e kuqezinjëve”, disa media në Itali kanë ngritur edhe një krahasim që i rri përshtat me skenën e filmit te “Le Riserve”. Trajneri në atë rast është Gene Hackman që bisedon me qendërmbrojtësin e tij Keanu Reeves. Filmi është për rezervat atje ku flitet se gjithmonë është një shans i dytë për t’u kapur. E pyetja që shtrohet natyrshëm: “Atëherë trajner, përse unë? Unë të shoh ty dhe shoh dy burra: ai që je ti dhe njeriun që duhet të jesh. Një ditë do të takohen të dy dhe do të dalë një futbollist i shkëlqyeshëm”. E njëjta bisedë duhet të imagjinohet edhe në përqafimin mes Maldinit dhe Theos, ndërsa në rastin e Hernandez tanimë mund të themi me siguri se janë takuar të dy burrat. /Sport Ekspres/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *