Pas pushimeve të festiave të fundvitit të kaluar, skuadra e Apolonisë nën drejtimin e trajnerit Ndriçim Kashami i është rikthyer ditën e djeshme punës përgatitore për pjesën e dytë të kampionatit. Pak minuta përpara startit të stërvitjeve dimërore, për t’u njohur për zhvillimin e fazës përgatitore dimërore dhe merkaton e kësaj periudhe, për “Sport Ekspres” foli tekniku kavajas i fierakëve.
- Kashami, kur do të startojnë zyrtarisht përgatitjet skuadrës tuaj për pjesën e mbetur të kampionatit?
Nuk mund të rrimë më gjatë pushim, ndaj do t’i fillojmë përgatitjet nga dita e sotme. Ato do të jenë fakultative deri më datën 7 janar dhe më 8 do të jenë me ngarkesë të plotë duke zhvilluar dhe dy seanca stërvitore në ditë.
- A do të zhvillojë merkato Apolonia?
Jo nuk do të ketë merkato për momentin. Ne kemi një skuadër dhe grup të plotë me disa lojtar të rinj në moshë por që janë rritur nga ndeshja në ndeshje në lojën e tyre. Pra, kemi një skuadër të mirë e të fortë me synime e ambicie reale që e ka treguar më shumë se një herë veten në shumë ndeshje të pjesës së parë të kampionatit. Po për të thënë që kemi hyrë në merkato kemi afruar nga Bylisi futbollistin Kumanaku.
- Po largime a do të ketë ashtu sikurse po flitet?
Siç e theksojmë, i gjithë grupi i lojtarëve që kam në dispozicion është i pranishëm sot për fillimin e përgatitjeve me përjashtim të portierit Çako që ka marrë leje nga klubi dhe gjendet në Itali te të afërmit e tij dhe do të kthehet brenda ditës së diel, për t’iu bashkuar grupit. Ndërkohë që kapiteni Dimo pas fjalëve për një lënie të futbollit pas përfundimit të kontratës ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe ka rinovuar sërish me drejtuesit e klubit dhe do të jetë pjesë e jona.
- Por duket se ka dhe mungesa të tjera si: Broshka, Velo, Hasfatija dhe për këta flitet se kanë muaj pa u paguar. Sa është e vërtet një gjë e tillë?
Këta lojtarë që përmendët janë pjesë e skuadrës tonë dhe me sa di unë do të jenë në stërvitje së bashku me grupin brenda ditës së hënë. Ndërsa për pagesat nuk di se çfarë të them, sepse nuk di akoma asgjë zyrtare.
- Me çfarë synimesh pritet të hyjë Apolonia në pjesën e dytë të kampionatit?
Objektivat e Apolonisë janë të qarta. Të jetë në tre ekipet kryesuese të grupit B. Edhe pse momentalisht ndodhemi në vendin e pestë në klasifikim, me rifillimin e kampionatit ne do të ngjitemi.