Në prag të ndeshjes me Young Boys, një legjendë e klubit bardheblu vendos të japë mendimin e tij në lidhje me këtë Tiranë, që është një hap larg shkrimit të historisë. Kundërshtari i radhës duket tepër i vështirë për Agustin Kolën, ndërsa në kampionat duket se ka tjetër mendim. Në një intervistë për “News24”, ish-futbollisti i kryeqytetasve shprehet se e sheh ekipin aktuar edhe më të fortë se ai i sezonittë shkuar, duke treguar bindje se titulli do të jetë sërish në duart e tyre. Kola ka analizuar gjerë e gjatë bardheblutë, duke nisur nga merkatoja, trajneri dhe krahasimi mes Tiranës së kohës së tij e asaj të tanishme
“Të them të drejtën, titulli ende nuk është harruar për ne, sepse ishte 100 vjetori, një festë e madhe për ekipin e Tiranës. Lamë ca gjynahe të Kategorisë së Parë. Prapë, arritëm të dalim kampion dhe shoh vazhdimësi. E kam thënë dhe e them, Tirana është një fanellë e rëndë. Tirana gjithnjë ka qenë grupi, kanë luajtur të gjithë për një dhe një për të gjithë. Shoh që presidenti ka bërë një punë të mirë vjet që ekipi arriti në këtë stad.
Nuk diskutohet që nga dy ndeshjet që bëri, të parën e bëri të shkëlqyeshme, të dytën nënvlerësim. Është një ekip i madh Young Boys. Po ta marrësh me përqindje ka më shumë shanse skuadra zviceriane. Unë e kam ndjekur nga afër Tiranën këto muaj dhe shoh që Tirana prapë është për titull, madje më e fortë se vjet. Tek jo ndeshje shpresoj ta ndihmojë fati, sepse është edhe ai në lojë.
Tirana po bën për më mirë. Muça ka meritë se ka luajtur me ekipin e Tiranës, pati edhe probleme nga dëmtimet. Të them të drejtën ka merita dhe është për t’u respektuar për atë që ka dhënë për Tiranën. Por duhet që edhe të vjetrit në sport të hapin rrugën. Tirana ka bërë ca blerje shumë të mira, sidomos ata maqedonasit. Nëse vjet kemi qenë “hajt do dalim apo s’do dalim kampion”, këtë vit edhe them me plot bindje që është më e fortë se Tirana e vjetshme. E kam parë edhe në disa ndeshje miqësore që ka marrë disa elementë edhe nga akademia e vetë, por edhe të rinj. Po gërsheton mirë të rinjtë me të vjetrit dhe përvojën, ka të bëjë shumë kjo. Po punohet mirë.
Për problemet ikën ky, vjen tjetri nuk them se ka ndonjë problem. Problem është si Kukësi, ikin 13 lojtarë. Këto janë probleme për një ekip. Ka prurje te Tirana. Ka afrime për të bërë në stol një ekip të parë. Ka 11 në fushë dhe 11 në stol.
A varet e ardhmja e Egbosë nga kjo ndeshje? Jo, nuk varet nga kjo ndeshje. Egbo e ka treguar veten që nga dita kur e mori, si ishin dhe ku është. Nuk varet nga kjo ndeshje puna e trajnerit. Këto janë gabime në futbollin shiptar, që trajnerët i mbajnë 2-3 muaj dhe nuk i japin jetëgjatësi. Është si puna kur lind një fëmijë, nëna ta dërgojë ta edukojë te një nënë tjetër. Prandaj Egbo ka merita, por ka merita edhe presidenti. Unë shoh që nga presidenti, i cili nuk u mor më me arbitrat, federate etj. Pa punën e vetë, gjithë grupi pa punën e vetë. Edhe po të shohësh intervistat e Egbosë thoshte gjithmonë: “Ne shohim punën tonë“.
Tirana tani me Tiranën e viteve 80‘? Atëherë ishte sistem tjetër. E kam thënë dhe e thëm, ne atëherë ishim profesionistë. Flinim në klub, stërviteshim 2 herë në ditë mbi 2 orë. Kurse në futbollin shqiptar sot stërviten 1 herë në ditë nga 2 orë. Nuk kemi arritur akoma te profesionalizmi. Ju e shihni botën. Po të shkosh në Itali, ekipet bëjnë nga 5 orë stërvitje në ditë. Prandaj them që akoma nuk janë futur në frymën e profesionalizmit në futbollin tonë”, ka deklaruar Agustin Kola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/