Prishi kontratën me Idriz Bathën, ndër të tjera me argumentin se mesfushori ka festuar me simbolin e shqiponjës, por ndërkohë blen një tjetër futbollist shqiptar. AEL Larisa afroi Suad Sahitin nga Skënderbeu në një lëvizje që për zhvillimet e fundit në ekipin e Superligës greke duket e befasishme.
Sahiti nënshkroi kontratë 3-vjeçare me ekipin e elitës së futbollit në Greqi, ndërsa prej moshës 23-vjeçare, por edhe për kualitetin vlerësohet si një goditje e mirë në merkato. Në lajmin e transferimit, djaloshi që është pjesë e përfaqësueses së Kosovës u prezantua si një element i rëndësishëm i Skënderbeut të sezonit të kaluar.
Te Larisa reklamuan se kanë afruar një lojtar teknik dhe të shpejt, por mbi të gjitha i mësuar të fitojë. Sahiti e mbylli aventurën në Korçë me titullin kampion dhe kupën e Shqipërisë, ndërsa ka eksperiencë të kënaqshme në arenën ndërkombëtare, edhe sepse ka luajtur në fazën e grupeve të Europa League me Skënderbeun.