“Presioni më i ulët se me bullgarët”, Skënder Gega nuk njeh frikë ndaj Wolfsburgut: Nuk dorëzohem me asnjë ekip

Në “Air Albania” Kukësi do të luajë mbrëmjen e nesërme sfidën e vërtetë kundër Wolfsburgut. Një duel nga ata që verilindorët nuk do të dëshironin ta kishin në këtë tur, por fati i ka vendosur përballë dhe nuk ka kthim pas. Në konferencën për shtyp në prag të takimit, trajneri Skënder Gega flet për përballjen e nesërme. Kreu i pankinës së Kukësit nuk e njeh fjalën dorëzim dhe nuk ka ndërmend të hyjë në lojë me flamurin e bardhë.

“Jemi përballë një fakti, që jemi të ndërgjegjshëm për forcën dhe kualitetin e kundërshtarëve. Do të mundohemi të bëjmë pjesën tonë. Do të mundohemi të marrim maksimumin dhe të bëjmë përpjekjet tona. Mbrojtja jonë fillon që te pika e parë, te lojtari që është me lart nga të gjithë. Të bëjmë sa më pak gabime dhe të shikojmë gjatë kohës”.

Loja në grup: “Jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë forcën e tyre. Vetëm si grup mund t’i përballojmë dhe mund të marrim më të mirën. Presioni është shumë më i ulët se në sfidën me bullgarët, duhet të kënaqim me lojën. Të tregojmë që edhe pse vrapojmë te Liqeni, kilometrat quhen kilometra”.

Kukësi jo me flamur të bardhë: “Unë nuk dorëzohem me asnjë ekip. Duhet të jemi realistë. Nuk duhet të shpallim asnjë lloj lufte. Do t’i marrim të gjitha masat për të bërë maksimumin. Ekipet dhe trajnerët ndryshojnë nga njëri-tjetri. Do t’i shtrëngojmë dorën ekipin tjetër, nëse fiton. Ekipin e motivoj sikur është finale për ne. Nuk mund të hysh në një ndeshje me fanellë të bardhë. Është një ndeshje që nuk ka nevojë për motivim”.

Nivele të ndryshme: “Mendoj që i kemi mundësitë tona për të dhënë maksimumin. Fusha më duket e njëjtë gjithandej. Kemi shmangur udhëtimin, kjo është e rëndësishme. Jemi të gjithë të shëndetshëm. Presim që nesër të bëjmë më të mirën. 90-minutëshi do të tregojë disnivelet që janë në letra, transfermarket dhe histori. Kur thuhet që është ekip i fortë, nga fillimi deri në fund ka pika të forta. Do të provojmë edhe t’i ngacmojmë. Nuk e kam idenë si do të shkojë loja. Grupi ka dëshirë për të bërë një ndeshje të mirë. Ajo është e rëndësishme. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm. Janë 90 minuta. Secili të bëjë kilometrat që i takon”.

Forma e lojtarëve: “Obanor është 100% në stërvitje. Ka qenë kohë e shkurtër. Jemi munduar t’i shërbejmë kësaj ndeshje. Një pjesë e madhe një javë pushimi kanë bërë. Rroca ka 2 ditë që i është bashkuar grupit, është 100% dhe ka dëshirën e madhe të japë kontributin. Penalltitë i përdorim, në çdo seancë stërvitore e mbyllin me penallti. Nuk është se e mendojmë shumë, por uroj që gjërat të shkojnë mire”, ka deklaruar Skënder Gega, raporton “Supersport”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online