Endri Çekiçi po luan si titullar në të gjitha ndeshjet e Ankaragucu dhe është kthyer në futbollistin kryesor të kësaj skuadre. Por nga ana tjetër ky futbollist nuk po kthehet në lojtar të rëndësishëm me Kombëtaren Shqiptare, teksa ka munguar në ndeshjet e marsit.
Në intervistën e dhënë për “Zona Gol” me gazetarin e njohur Glend Tafaj, Çekiçi është shprehur se u ndie i keqardhur për mungesën e ftesës nga Kombëtarja, por nga ana tjetër është i sigurt se do të vijë edhe momenti i tij.
Si po ecën sezoni te Ankaragucu?
Momentalisht jam i angazhuar me ekipin e Ankaragucu. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe besoj se do qëndrojmë mes më të mirave, pasi ky është edhe objektivi i drejtuesve të klubit këtë sezon. Edhe në planin personal dua të bëj sa më mirë.
A patët sinjale nga Kombëtarja për grumbullimin e marsit?
Këtë herë jo, por nëse vazhdoj të luaj kështu besoj se do të vij dhe momenti im me Kombëtaren. U ndjeva keq këtë herë që nuk mora një ftesë, por besoj se shumë shpejt do të vij ai moment.
Cili është edhe objektivi apo ëndrra juaj në karrierë?
Shpresoj që një ditë të jem pjesë e kampionatit spanjoll. Çfarë do ftese të më vinte nga ai kampionat nuk do e refuzoja, pasi më pëlqen shumë futbolli që luhet atje.
Kush e fiton Kategorinë Superiore?
Kam luajtur në fillimet e mia për Teutën dhe presidenti Hasanbelliu më ka mbështetur shumë, ndaj shpresoj që ta fitojnë ata kampionat këtë sezon.