Presidenti Duka pret drejtuesit e Federatës Afgane, ofron mbështetjen e FSHF me ambiente, bazë materiale e fusha stërvitore

Një delegacion nga Afganistani që kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit, Fazil Mohammad Shahab, ka vizituar ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Afgane, punonjës së Federatës si përgjegjësit e marrëdhënieve me publikun, financës, trajneri i skuadrës së femrave, skuadra e futbollit të femrave, etj.

Delegacioni afgan u prit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, Sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku si dhe anëtarja e KE-së, Anila Basha. Miqtë fillimisht bënë një vizitë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit si dhe në Muzeun e FSHF-së.

Gjatë takimit, Presidenti Duka i uroi mirëseardhjen miqve nga Afganistani dhe theksoi se FSHF është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për nevojat e Federatës Afgane të Futbollit.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se FSHF-ja do të ofrojë bazën materiale për stërvitje, fusha stërvitore dhe ofrimin e ndeshjeve miqësore me ekipin e vajzave. Gjithashtu, do t’u ofrohen zyra në Shtëpinë e Futbollit për stafin e Federatës së Afganistanit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri si edhe do të vlerësohen mundësitë e bashkëpunimit dhe komunikimi mes palëve do të jetë i vazhdueshëm.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit e falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin midis dy federatave.

Më pas delegacioni u shoqërua për në stadiumin “Air Albania”, ku ndoqën nga tribuna VIP ndeshjen miqësore Shqipëri-Gjeorgji.

Një grup prej rreth 150 personash nga Afganistani, ku përfshihen zyrtarë të Federatës Afgane të Futbollit dhe skuadrën e futbollit të femrave, ndodhen aktualisht në Shqipëri. Ata janë shpërngulur nga vendi i tyre për arsye të situatës së vështirë atje, dhe janë evakuuar fillimisht nga Afganistani për në Katar dhe më pas në Shqipëri me ndihmën e FIFA-s. Afganët ndodhen në Shqipëri përkohësisht në statusin e të mbrojturve, dhe do të transferohen më pas në Kanada.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *