“Presidentëve të Superiores u ka ardhur mirë pushimi”, Redi Jupi: Kanë humbje gjithë vitin dhe tani do shkurtojnë rrogat, nuk ka kuptim të rrimë tani

Futbolli shqiptar po sheh dritë në fund të tunelit, teksa qeveria më në fund hodhi hapin e parë për të organizuar një takim me përfaqësuesit e FSHF-së në lidhje me rifillimin e sportit. Megjithatë shumë kohë është humbur prej shtetit shqiptar, që ky moment të vinte më herët. Këtë mendim ka edhe Redi Jupi, i cili për emisionin “Proces” në “Top Channel” u shpreh se situata është rënduar shumë nga ana psikologjike. Ish-futbollisit thekson se nuk ka kuptim që stërvitjet të mos nisin dhe të gjithë sportistët, përfshirë këtu edhe fëmijët, të qendrojnë ende pushim.

Ndërkohë gazetari Nallbani i shtron pyetjen se përse vihet re një heshtje nga presidentët e klubeve si dhe sportet e tjera, që nuk i janë bashkuar presidentit Armand Duka për të kërkuar kthimin në fushë nga qeveria. Përgjigjen Jupi e gjen te fakti se në Shqipëri krerët e klubeve nuk gjenerojnë të ardhura dhe janë me humbje, prandaj ndoshta janë future në një zonë komforti. Madje shprehet se edhe mund t’u reduktojnë pagat lojtarëve, gjë që ul paksa kostot e tyre. Por sipas tij kjo mungesë stërvitjeje do të ndikojë jo vetën në rastin e rinisjes së këtij sezoni po edhe në vitet që do të pasojnë.

“Është rënduar shumë situata nga ana psikologjike për të gjithë ne njerëzit e sportit, sepse ju thoni u hap drita jeshile sepse shikoni Gjermaninë, Italinë apo Anglinë, por edhe në Ballkan kanë filluar stërvitjen të gjithë. Për ne kjo tashmë nuk është më dritë jeshile por një kambanë alarmi, sepse kemi humbur vërtetë shumë koëh. U bënë dy muaj që jemi të mbyllur dhe pa zhvillimin e aktiviteteve. Prandaj them që na mungon shumë dhe në këtë pikë që kemi ardhur them që nuk ka më kuptim. Mbase kam arritur të mendoj këto ditë se nëse Superliga nuk rifillon këtë vit, dëmi do të ishte relativ, kurse t’i heqësh fëmijëve procesin e zhvillimit, një proces stërvitor, është i pazëvendësueshëm. Një fëmijë 6-7 vjet e ka formimin, ne një vit ia hoqëm. Nuk e di përse rrimë pushim tani, realisht nuk ka kuptim.

Përse presidentët e klubeve nuk po ngulmojnë si Duka për nisjen e sezonit? Futbolli ynë elitar, pra futbolli i performancës, flasim për Superioren dhe ndonjë klub të Kategorisë së Parë, janë klube që nuk gjenerojnë para. Janë në humbje gjatë gjithë vitit dhe duke qenë se presidentët janë edhe shumë të lodhur me shumat që harxhojnë gjatë viteve të gjata në të cilat drejtojnë, mbase i ka ardhur pak mirë ky pushim, sepse unë besoj se një pjesë e pagave të lojtarëve do shkurtohen. Unë shpresoj që t’i marrin 100%, por duket pak e vështirë që ata të paguhen. Kështu që kjo ulje e kostove nga ana e tyre mbase i ka bërë pak komod në këtë situatë që ndodhemi. Por duhet ta dimë që ndërprerja e futbollit për dy muaj është që periudhë që nuk rikuperohet aq kollaj. Kjo influencojë jo vetëm tani në rifillimin e kampionatit, ku gjendja e tyre është jo 0 po me minus, por edhe në vitet në vijim”, ka deklaruar Redi Jupi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *