Para pak kohësh te Lokomotiva e Zagrebit shkëlqenin tre shqiptarë: Herdi Prenga, Eros Grezda dhe Endri Çekiçi. Ky i fundit tashmë është te Dinamo e Zagrebit, por nuk luan në ekipin e parë dhe nuk po e hedh hapin e madh në karrierë, ndryshe nga Eros Grezda, i cili tashmë mund të quhet titullar edhe te Shqipëria. Po Prenga? Qendërmbrojtësi 23-vjeçar është një histori misterioze, plot pikëpyetje dhe hapa pas në karrierë.
Herdi është i biri i Besnikut, ish-futbollist i kombëtares kuqezi në vitet 1992-1994, por i shpërngulur në Kroaci shumë vite më parë dhe Herdi ka lindur në Zadar.Nnë vitin 2013 Herdi firmosi të parën kontratë profesioniste, me Dinamon e Zagrebit, ku u rit si futbollist, ndërsa më pas u huazua te Sesvete dhe Lokomotiva e Zagrebit, me këtë të fundit që do ta blinte përfundimisht në vitin 2015.
Prenga u grumbullua fillimisht me Kombëtaren kroate U-17, duke luajtur në Elite Round të Europianit të vitit 2011. Më pas kaloi te Kroacia U-19 dhe erdhi ftesa edhe nga U-21, por aty nuk kishte hapësirë dhe Prenga në vitin 2015 zgjodhi të luante për Shqipërinë.
Në sezonin 2015/16 Prenga vijoi procesin e rritjes dhe ishte pikë kyçe te Lokomotiva, por në verën e vitit 2016 refuzoi rinovimin e kontratës dhe për pasojë humbi një sezon të tërë, duke luajtur vetëm për Shqipërinë U21 në shtator 2016 dhe që atëherë, errësirë. Verën e shkuar kontrata me Lokomotivën përfundoi dhe Prtenga doli i lirë në treg, duke firmosur për Inter Zapresiçin, klub modest, por që i garantonte minuta, për të rigjetur ritmin e duhur.
Këtë sezon Prenga ka luajtur pak, sepse ka pasur dëmtime, por e ka nisur mbarë vitin e ri, duke qenë titullar në ndeshjet e para të vitit. Për pasojë, Panuçi ka vendosur ta grumbullojë, edhe për shkak të mungesës së Veselit. Shansi i karrierës, sepse nëse bind Panuçin dhe bëhet pjesë fikse e Shqipërisë, Prenga me siguri do të ecë përpara edhe në karrierën e vet në nivel klubi.