Elvis Prençi është në kërkim të një aventure të re pas eksperiencës te skuadra e Lushnjes. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, mbrojtësi e pranon se synimi i tij është që të nisë një aventurë jashtë vendit dhe interesimi për të nuk mungon. Fillimisht ai tregon se edhe pse është një periudhë pushimi, po punon për të ruajtur gjendjen fizike, pasi edhe kjo pjesë është shumë e rëndësishme: “Kjo periudhë pushimi sigurisht duhet të kalohet me kujdes. Si të gjithë sportistet po e kaloj me vrapime dhe ushtime të thjeshta si dhe palestër, në mënyrë që t’i parapri fazës përgatitore”.
Sa i përket ofertave, Prençi nuk nguron që të zbulojë diçka më shumë, teksa tregon dhe dy nga destinacionet e tij të mundshme. Po ashtu vetë dibrani tregon se ka pasur interesim dhe nga Kosova, megjithatë për momentin nuk është një zgjedhje e parë elita kosovare: “Po në fakt jam në bisedime me disa klube të huaja. Bëhet fjalë për një skuadër nga Superliga e Maltës dhe një skuadër nga Zvicra. Kam pasur kontakte të vazhdueshme dhe jam në pritje për të arritur 1 marrëveshje. Me këtë po merret 1 menaxher italian. Po ashtu kam pasur interes dhe nga Kosova, megjithatë nuk i kam parë shumë parasysh, pasi prioritet është një aventurë jashtë vendit.
Në të njëjtën kohë 25-vjeçari e pranon se do i pëlqente një aventurë te Partizani, megjithatë tregohet i sinqertë duke treguar se deri më tani nuk ka asnjë kontakt me drejtuesit e kryeqytetasve dhe një lëvizje e tillë është e vështirë që të arrihet: “Kam lexuar në rrjetet sociale, por ç’është e vërteta unë nuk kam pasur kontakte me drejtuesit e Partizanit, pavarësisht marrëdhënieve të mira që mund të kem me trajnerin. Unë i uroj suksese, por mua nuk më ka kontaktuar njeri. A do më pëlqente një rikthim te demat? Normalisht që po Partizani mbetet Partizan dhe nuk refuzohet, megjithatë mendoj se është i vështirë një rikthim, duke pasur parasysh që Partizani aktualisht ka mbrojtës mjaft cilësor”, përfundon prononcimin e tij Prençi.