Mjafton një fjalë e thënë para kohe, ose në vendin e gabuar që gjithçka ta marrë lumi. Të moçmit shqiptarë kanë nxjerrë shprehjen që duhet të flasë mendja para gjuhës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shumë i kujdesshëm me artikulacionin dhe oratorinë, në publik është një “politikan” i vërtetë, në media nuk i rrëshket asnjë presje.
Në punën e tij ka patur raste që ka gabuar dhe me ndonjë fjalë të thënë para kohe ka gabuar. “Sport Ekspres” mëson që një nga rastet që Duka është nxituar ka qenë me Fatjon Andonin. Mesfushori shqiptar që luan me Larisën në kampionatin grek kishte marrë premtimin se do të grumbullohej nga trajneri Kristian Panuçi.
Në ndeshjen miqësore kundër Norvegjisë nuk u thirr, por ishte numri një i Federatës që e qetësoi duke i shprehur besimin se do të grumbullohej në sfidat e ardhshme kundër Kosovës dhe Ukrainës. 27-vjeçari e priti sërish ftesën, por përsëri nuk mori asnjë thirrje. Burime të besueshme pranë lojtarit tregojnë prapaskenën, por dhe zhgënjimin e Fatjon Andonit. Ai ka qenë një nga emrat që u përfol më shumë se do të merrte një ftesë nga Panuçi. Të shohim nëse diçka e tillë do të ndodhë në ndeshjet e shtatorit.