“Nuk është vetëm Lika kandidat. Unë kam takuar Edi Martinin, Ervis Krajën dhe do të vendosim në bazë të CV-së dhe platformes. Kandidatë janë të gjithë ata emra që kanë dalë në medie. Baldo Ranieri, por dhe Xhokoviç, do të mblidhemi pasdite me bordin dhe do të vendosim”, – u shpreh para pak çastesh administratori i Vllaznisë, Suad Lici.
Ai nuk anashkalon asnjë emër, por personi që pritet të marrë drejtimin e ekipit kuqeblu është Ervis Kraja. Ky i fundit drejtoi ekipin B, por dhe dy ndeshjet e fundit të ekipit A. Kraja ka më shumë mundësi që të marrë frenat e skuadrës, pasi ka marrë një premtim nga kryebashkiakja Ademi: Ti do të jesh trajneri i ri i skuadrës!
Nga krahu tjetër, kandidatur interesante është ajo e Hasan Likës, por duke qenë se ekipi shkodran është në Kategorinë e Parë nuk ka shumë buxhet. Hasim Dxhokoviç është një tjetër emër interesant. Malazezi ka qenë pjesë e Vllaznisë në sezonin 2002-03. Dervish Haxhiosmanoviç lakohet përherë, pasi e ndjen fort Vllaznisë, ashtu si Baldo Ranieri. Lufta është e ashpër, por në “pole positon” është Ervis Kraja. Emri i trajnerit të ri do të merret vesh shumë shpejt, pasi Vllaznia e re do të nisë punën të hënën.