Sulmuesi është stërvitur i diferencuar, ndërkohë që ekipi është shpërblyer për triumfin me Vllazninë, si dhe janë shpërndarë rrogat
Gëzim Beqiri
Luftëtari ka vazhduar punën për ndeshjen e së shtunës me Flamurtarin. Sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili doli i dëmtuar nga ndeshja në Shkodër, ditën e djeshme ka punuar i diferencuar, por është shprehur se do të jetë i gatshëm për lojë, megjithëse për këtë duhet të konsultohet edhe me stafin. Ndërkohë ditën e djeshme futbollistët e Luftëtarin kanë “mbushur xhepat”, pasi presidenti Grigor Tavo, sikurse edhe kishte premtuar, ka shpërndarë premion për fitoren e marrë në Shkodër me Vllaninë. Pesë mijë euro u janë ndarë lojtarëve, por jo vetëm kaq, pasi dje ka qenë edhe ditë rrogash. Kështu morali para ndeshjes me Flamurtarin do të jetë edhe më i lartë, teksa synimi i vetëm me vlonjatët është marrja e pikëve maksimale.
KALENDARI – Luftëtari, duke përfituar nga humbja e Partizanit, ndodhet i vetëm në vend të tretë, me dy pikë më shumë se ekipi kryeqytetas, me të cilin duket se do të luftojë deri në fund për këtë pozicion. Është edhe Flamurtari shumë afër tyre me pikë, por Luftëtari i ka mundësitë t’i mbyllë llogaritë me këtë kundërshtar ditën e shtunë. Ndeshja me vlonjatët ka rëndësi të veçantë për gjirokastritet. Pas Flamurtarit, Luftëtari shkon në Kamzë, pret Partizanin në Gjirokastër, udhëton për në Kukës, pret Skënderbeun dhe e mbyll në Lushnjë. Kurse Partizani rival të shtunën ka një ndeshje të kalueshme në Lushnjë, pret Teutën dhe pas takimit në Gjirokastër pret Vllazninë, shkon në Vlorë dhe në fund ndeshet me Kamzën. Vendimtare janë ndeshjet direkte midis tyre, por e vërteta e madhe është se Luftëtari ka mundësi reale të përfaqësohet në Europa League. I duhet të fitojë ndaj Flamurtarit dhe jo pa qëllim po bëhen përgatitje maksimale për tri pikët, që kanë më shumë vlerë se kaq, kur është fjala për një objektiv të njëjtë. Takimi Luftëtari-Flamurtari është interesant edhe për faktin se në skuadrën gjirokastrite ka më shumë vlonjatë se te Flamurtari, siç janë Beqiri, Liçaj, Bregu dhe Shkurtaj.