“Premio për djersën e derdhur”, Alban Xhaferi: E ka thënë bukur trajneri, ëndrrat ia lëmë tifozëve

Vllaznia ka barazuar pa gola ndaj Partizanit duke marrë rezultatin e kërkuar në këtë përballje direkte, pasi në këtë mënyrë është ruajtur diferenca e pikëve. Për më tepër që duke parë mënyrën sesi shkoi takimi, për shkodranët kjo pikë e marrë ka shijen “e fitores”.

Ndërkohë sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, di gjithmonë që të vlerësojë dhe t’i jap stimuj futbollistëve. Jo vetëm fjalë të mira, por edhe paratë që vazhdojnë të derdhen në shenjë vlerësimi për arritjet e bëra në këtë sezon.

I ftuar në emision “Rubrika Sportive” që transmetohet në RTSH, Xhaferi është shprehur se do të ketë premio pas këtij barazimi për shkakun e djersës së derdhur nga lojtarët. Ndërkohë kur flitet për titullin, përgjigja vjen me shprehjen e Brdariç se ëndrrat janë për tifozët.

“Do të ketë premio për barazimin, lojtarët kanë derdhur djersë, e meritojnë. Nuk do të jetë në nivelin e premios që do jepej në rast fitorja, por do ketë.

Luajtëm mirë në pjesën e parë, i kishim mundësitë për të shënuar. Në pjesën e dytë Partizani u rrit dhe luajti më mirë. Terreni u bë shumë i vështirë. Unë edhe para ndeshjes u kam thënë lojtarëve që të luajnë lirshëm.

Në lojë ishin tre rezultatet, barazimi është I mirë për ne. Barazuam përballë një rivali direct siç është Partizani dhe ndodhemi në kushte të mira, jemi të kënaqur. Në shumë ndeshje kemi shënuar në fund, por sot mund të ishim goditur, por fati ishte me ne.

Mendoj se aktualisht jemi në një situatë të pëlqyeshme. Titulli? Trajneri ka thënë një shprehje të bukur: ti lëmë tifozët të ëndërrojnë, ndërsa ne të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme, atë me Laçin dhe duhet të mendojmë vetëm për këtë sfidë. Ata kanë një skuadër shumë të konsoliduar. Mendoj se skuadra do të performojë mirë dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

Arbitrimi? Nuk kam pretendime, jemi të kënaqur me gjykimin. Nuk është se ne nuk kemi ankesa. Por unë që kur kam mbërritur në këtë pozicion, kam thënë se gabimet duhet ti kërkojmë tek vetja jonë.

Liçensimi? Kemi nisur me plotësimin e kritereve. Kemi një kriter të rëndësishëm, që është ai financiar. Shpresojmë që ta zgjidhim me sukses, sepse Vllaznia ka një borxh të madh financiar”, u shpreh Xhaferi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *