Preiti justifikohet: Goditemi që në gabimin e parë, edhe fati nuk na do!

 

Drejtori sportiv mundohet që të “mbrojë” ekipin, teksa shton: Sa i përket lojës, kemi bërë progres, por në futboll kanë rëndësi rezultatet…

Antonelo Preiti, drejtori sportiv i Partizanit, pas ndeshjes, ka folur për “Sport Ekspres”, teksa në fytyrën e tij zhgënjimi ka qenë i madh. Mundohet të qeshë, por e ka të vështirë, edhe pse një batutë e gazetarëve se sa herë ka humbje paraqitet ai për mediet dhe sa herë ka fitore nuk ka vend për deklaratat e tij, i rikthen disi humorin…  Një humbje që vjen ndaj rivali direkt, si Flamurtari, që merr 3 pikë në “Selman Stermasi”: “E shëmtuar, sepse humbjet janë gjithmonë të shëmtuara, jo të bukura. Por, është mëkat, sepse në pjesën e parë bëmë mjaft mirë, ndërsa në të dytën më shumë ishim konfuzë se sa luajtëm. Ata u mbrojtën mirë dhe morëm 3 pikë të plota. Merita atyre, por edhe ne patëm gabime”. Sakaq, Preiti vazhdoi duke folur edhe për lojën: “Nuk goditëm portën dhe nuk shënuam, ndaj e humbëm. Nga aspekti i lojës, pjesërisht, kemi bërë progres, por në futboll kanë rëndësi rezultatet”.

Ndeshjet direkte nuk janë fituar… (humbje ndaj Skënderbeut dhe Flamurtarit, barazim me Kukësin). “Kemi edhe dy lojtarë që i quajmë të rëndësishëm si Çani dhe Sukaj jashtë. Ndoshta, kemi fatin e keq që kemi jashtë dy lojtarë të mirë përpara dhe urojmë t’i rikuperojmë sa më shpejt dhe të jemi konkurrues. “Kur e humbet ndeshjen për një gabim të bërë apo një goditje të tyre, të vjen keq. Duhet ta eliminojmë këtë gjë, sepse po na ndodh që në gabimin e parë, kundërshtari na ndëshkon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *