Për të fituar ndeshjet, duhet të kesh kontrollin e topit. Ky është koncepti më i përhapur në futbollin modern, të cilin një trajner si Zhoze Murinjo e tronditi në vitin 2010 në krye të Interit. Të njëjtën strategji si tekniku portugez kishte zgjedhur edhe Laçi kundër Anorthosis. Sa më pak lojë me topin përballë një rivali më cilësor dhe maksimalisht të përqendruar në mbrojtje për të mos pësuar.
Këto ishin udhëzimet që trajneri Prenga i kishte dhënë lojtarëve, sepse pas humbjes 2-1 në Qipro dhe me pësimin e një tjetër goli në shtëpi, rikuperimi i disavantazhit do të ishte praktikisht i pamundur. Dhe Laçi i’u përgjigj trajnerit në mënyrë të përkryer. Edhe pse në shumë raste rrezikuan, kurbinasit e mbajtën portën të paprekur.
Tjetër element që bëri diferencën ishte besimi i stafit teknik te Myrto Uzuni. Në minutat e fundit të ndeshjes, lojtari i kërkoi trajnerit Prenga që nga sulmues krahu, të spostohej në rolin e sulmuesit kryesor. Besimi i 23-vjeçarit u shpërblyer, sepse në aksionin e parë vërtetë të rrezikshëm, Laçi shënoi golin e fitores, që i dhuroi edhe kualifikimin në turin tjetër.
Librin e tij, të botuar në vitin 2009, Murinjo e titullonte “Topi nuk hyn kurrë rastësisht në rrjetë”. Bardhezinjtë vazhdojnë ëndrrën europiane dhe jo vetëm prej rastësisht.